Arbëri

Bajraktari për Specialen: Pres të bien akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se pret që në ditët në vijim të ketë përshpejtim të procesit gjyqësor nga Dhomat e Specializuara për rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke shtuar se sipas tij, gradualisht do të bien akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” se kjo akuzë pret të bjerë sikur akuza për trafikim me qenie njerëzore, derisa Bajraktari u bëri thirrje avokatëve të të akuzuarve për kujdes.

“Sikur kanë rënë akuzat për trafikim me qenie njerëzore, një akuzë utopike e jashtë sensit logjik, që bëhej fjalë për mungesë të trajtimit elementar, të flitet për transplante kur njerëzit vdesin nga trajtimi. Sikur që kanë rënë ato akuza, gradualisht do të bien edhe akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë ai.

Bajraktari ka shtuar se Dhomat e Specializuara nuk janë transparente sa duhet me procesin. Sipas tij, edhe procesi ka pësuar stërzgjatje.

“Vlerësoj se me një dinamizim të madh të Gjykatës në ditët, javët dhe muajt në vijim, në 2025-n besoj se do të përfundojë procesi në shkallën e parë, pasi kemi një afat që Gjykata e ka obliguar Prokurorinë që fundi i prillit të jetë dëgjimi i dëshmitarëve. Pra, procesi mund të përfundojë edhe para kësaj periudhe, por pala mbrojtëse duhet të jetë e vëmendshme”, ka theksuar ai.

Për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bajraktari ka shtuar se lufta ishte vullnetare dhe të akuzuarit s’mund të kenë pasur përgjegjësi direkte në krimet e pretenduara. I pyetur për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale, Bajraktari tha se nuk është opsion i mirë.

“Nuk është zgjidhje zhbërja dhe s’duhet të insistohet në këtë, por pres të ketë përshpejtim të procedurës dhe përfundim sa më të shpejtë e konfirmim të luftës dhe pastërtisë së saj”, ka thënë ai.