Analisti politik Azdren Shala ka deklaruar se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka pasur potencial të madh terrorist dhe se shteti ka dështuar të veprojë në kohën e duhur për ta ndalur këtë rrezik.
Sipas Shalës, ekzistojnë dëshmi të shumta që vërtetojnë se Vetëvendosje ka funksionuar si një organizatë me strukturë paralele, e aftë për akte të dhunshme.
“Sot mund të gjenden 100 dëshmitarë që konfirmojnë se LVV-ja ka qenë një organizatë me potencial enorm terrorist,” u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.
Ai përmendi arrestimin e Albin Kurtit në vitin 2015 në zyrën e partisë “te Qafa”, ku sipas tij, ishte gjetur armatim, si një nga provat që tregonin se Vetëvendosje kishte kapacitete për veprime të dhunshme. Po ashtu, ai rikujtoi sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, duke e cilësuar atë si akt terrorist për të cilin thotë se VV-ja e ka potencial ende.
Shala theksoi gjithashtu se për një periudhë të gjatë, LVV ka trajnuar të rinjtë për përplasje me Policinë e Kosovës dhe ka funksionuar si një sistem paralel brenda shtetit.
“Ka fotografi, ka fakte materiale që tregojnë se si kjo organizatë ka përgatitur të rinjtë për konfrontime me forcat e rendit”, shtoi ai.
Sipas analistit, shteti është treguar i dobët në raport me Vetëvendosjen dhe nuk ka ndërmarrë masa të duhura për të parandaluar rritjen e saj si një organizatë me tendenca radikale.
Shala: Albin Kurti i njëjtë si Dodiku, autokrat
Azdren Shala, analist politik, ka thënë se kryeministri Albin Kurti frikësohet të japë dëshminë në Prokurorinë Speciale sepse nga dëshmitar mund të bëhet i pandehur.
Ai e ka krahasuar Kurtin me Milorad Dodikun, president i entitetit serb të Bosnjës, pasi ka thënë se të dy janë autokratë.
“Pse nuk po shkon Albin Kurti. A ndjehet i fajshëm? Kjo është e mundshme dhe mendoj se po. Pse e bënë Kurti këtë, se ky është spektakël mediatik, prej se i ka ardhë për herë të parë kërkesa. Krejt këtë spektakël ku Kurti e fton Prokurorinë në zyrën e vet, ai dëshiron ta paraqesë veten si i përndjekur politik. Nuk mund të flasësh për përndjekje politike, me një vend demokrati, për më tepër që ti je fuqia ekzekutive. Kurtit i nevojitet roli i viktimës të vazhdojë tutje fabula e personit të përndjekur politikisht, ku prokuroria, sistemi drejtësisë, partitë, janë kundër tij. Kurti është autokrat. Një kryeministër si Kurti me prirje autoritare, i pengon ndarja e pushteteve... jo më larg se dy javë më parë i ngjashëm me Kurtin një autokrat si Milorad Dodik refuzoi të shkonte në gjykatë sepse edhe ai është i njëjtë me Kurtin...”, ka thënë ai.
Bajraktari: Për sa kohë Kurti e ka statusin e dëshmitarit, nuk mund të merret me forcë
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se personi që e ka statusin e dëshmitarit, nuk mund të dërgohet me forcë për të dhënë dëshmi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur të martën në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë pati lëshuar urdhër javën e kaluar që Kurti të paraqitet në Prokurori më 4 mars. Urdhri i Gjykatës vjen pas disa refuzimesh të Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori, pasi ka deklaruar herë pas here se është i gatshëm për intervistim por se ai të bëhet në zyrën e tij në Qeveri.
“Për aq kohë sa e ka statusin e dëshmitarit është e pamundur, maksimumi që mund t’i shqiptohet është t’i shqiptohet disa herë dënim me gjobë nëse i njëjti nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton. Nëse bëhet e përsëritur, i njëjti mund edhe të burgoset por jo më vonë se 1 muaj ose deri sa dëshmia e tij të bëhet e padobishme ose të bindet të dëshmojë. Derisa e ka statusin e dëshmitarit i njëjti forcërisht nuk mund të sillet në institucionet e drejtësisë”, ka thënë ai në “Konfront”.
Bajraktari ka theksuar tutje se Kurti me mosparaqitjen në Prokurorinë Speciale po i sfidon institucionet e drejtësisë, ndërsa këtë e ka quajtur sinjal të keq.
“Një veprim i tillë është sfidim serioz i institucioneve të zbatimit të ligjit dhe tashmë kjo sagë e filluar kohë më parë është jashtëzakonisht lajm i keq, sinjal i keq, që përçohet nga këto institucione në drejtim të sfidimit të tyre. Sa i përket aspektit procedural, meqë kemi urdhër gjykate përmes cilës dëshmitari detyrohet të paraqitet në Prokurori për dëshmi, dhe kur i njëjti nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen atëherë proceduralisht prokurori e njofton gjykatën dhe varësisht prej justifikimit të palës... atëherë gjyqtari dëshmitarit i shqipton gjobë deri 250 euro”, shprehu ai.
Sopa: Gjithë kjo me Kurtin, skenar i Prokurorisë në bashkëpunim me opozitën
Pronari i mediumit “KosovaNews”, Jeton Sopa, ka hedhur akuza të rënda për Prokurorinë Speciale, opozitën dhe ato që i ka quajtur “media të caktuara”, duke thënë se kanë bërë “regjinë” e thirrjes së kryeministrit Albin Kurti si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.
Kurti ka refuzuar të shkojë të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore, edhe pas urdhrit gjyqësor.
Por sipas Sopës, ky është skenar i Prokurorisë në bashkëpunim me opozitën dhe disa media të caktuara.
“Krejt kjo është skenar dhe regji e organizuar nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me opozitën dhe mediat e caktuara. Prokuroria kohët e fundit ka rregulluar ato panot, ato tabelat informuese në mënyrë po e them me ironi që të vijë kryeministri e t’i bëjnë ato fotot që duan t’i qesin në opinion publik”, ka thënë ai në “Konfront”.