Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se përplasjet me komunikata mes Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Këshillit Prokurorial (KPK) e minojnë besimin e qytetarëve në drejtësi, veçanërisht në sistemin prokurorial.
Bajraktari ka thënë se kjo është mënyra më e keqe e komunikimit mes institucioneve.
“Kjo është mënyra më e keqe e komunikimit mes institucioneve pasi të dyja duhet ta kishin qëllimin për rritje të efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Komunikimet e tilla duhej të bëheshin në tryezat e takimeve të përbashkëta e më së paku përmes komunikatave. E minojnë besimin në drejtësi, veçanërisht në sistemin prokurorial”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Bajraktari që ka punuar më herët si sekretar në Ministrinë e Drejtësisë ka thënë se rekomandimet e ndërkombëtarëve për ligjin për KPK-në kanë qenë lehtësisht të adresueshme. Sipas tij, nëse do të merreshin parasysh, do të shmangej dërgimi në Kushtetuese i këtij ligji.
Avokati e ka konsideruar si sukses të MD-së miratimin e ligjit për konfliktet administrative. Thotë se kjo do ta rrisë efikasitetin për zgjidhjen e lëndëve.
Të martën, Ministria e Drejtësisë përmes një reagimin në Facebook e ka akuzuar Këshillin Prokurorial për qasje destruktive, “me veprime penguese dhe tendenca bllokuese”. Reagimi i MD-së vjen pasi KPK-ja pati thënë se me ligjin e ri për KPK-në, që u votua në Kuvend së fundmi, po synohet bllokimi i sistemit prokurorial.