Arbëri

Bajraktari: I panevojshëm numri i madh i forcave të rendit gjatë vizitës së Thaçit në QKUK

Avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar si të vonuar lejen e Gjykatës Speciale për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku qëndroi të enjten disa orë për ta parë babanë e tij të sëmurë.

Bajraktari ka thënë se një vizitë e tillë do të duhej të lejohej edhe më parë. 

“Është vizitë e vonuar. Refuzimet e mëparshme kanë qenë të pabazuara pasi është rregulla 56 e Rregullores së procedurës dhe të provave që thotë se sipas një kërkese në rrethana të tilla kur kemi arsye të justifikueshme humanitare mund të lejohet një vizitë e tillë, prandaj vlerësoj se më në fund Gjykata Speciale ka reflektuar me këtë çështje. Një vizitë e tillë është dashur të lejohej edhe më parë. Kur është refuzuar më parë kam thënë se është shkelje, është vendim johuman, prandaj më në fund Gjykata ka reflektuar në raport me këtë kërkesë, por edhe me standardin që vetë e ka vendosur”, ka thënë Bajraktari në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai tutje ka shtuar se ka pasur prezencë të madhe të forcave të rendit, që sipas tij, ishte e panevojshme. 

“Prezenca ishte e madhe dhe kjo e shpërfaqë interesimin që e kanë qytetarët në raport me procesin që po zhvillohet atje. Pati po ashtu edhe një prezencë të madhe të forcave të rendit, është brenda parametrave që ata e kanë vlerësuar, por mendoj se ishte i panevojshëm një numër kaq i madh”, është shprehur ai. 

Ish-presidenti, Hashim Thaçi, ka qëndruar të enjten në QKUK me një leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ai pati bërë kërkesa te Dhomat e Specializuara të Hagës këtë vit për ta vizituar babanë e tij të sëmurë, por i ishin refuzuar deri tash.