Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se ftesa e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshmi, po përdoret nga Qeveria për viktimizim për ta kapitalizuar në zgjedhje.
Bajraktari ka thënë se pret që Kurti t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe se kjo nuk ndikon aspak në procesin zgjedhor.
“Pres që kryeministri i vendit të reflektojë në drejtim të kërkesës dhe do të shkojë. Nuk ndikon në proces, çështja e zgjedhjes është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Nuk mund t’i ndalohet as Kurtit e askujt tjetër të marrë pjesë në zgjedhje, prandaj mundësia e ndalimit në këto rrethana është e pamundur”, ka thënë ai.
I pyetur nëse partia në pushteti po e përdor këtë rast për të sulmuar sistemin e drejtësisë apo për ta nxjerrë veten viktimë e sistemit të drejtësisë, Bajraktari ka thënë se po e bën për të dyja arsyet.
“Kam përshtypjen se të dyja bashkë, por e dyta më tepër sepse ka pasur aludime dhe sulme, etiketime të vazhdueshme në drejtim të Prokurorisë dhe gjykatave, përfshirë atë Kushtetuese, duke thënë se nuk po i lejon të bëjnë reforma. Më shumë e shoh si një tendencë për viktimizim për ta kapitalizuar në zgjedhje”, ka thënë ai.
Kastrati: "Aksham pazari" i javës së shkuar, pasqyrim i punës 4-vjeçare të Kuvendit
Burbuqe Kastrati nga organizata FOL ka thënë se pavarësisht se në legjislaturën e fundit ka pasur figura të reja në partitë politike, nuk kanë sjellë punën e “entuziazmin” që është pritur prej tyre.
Sipas saj, emrat e rinj në listat e partive politike nuk nënkuptojnë edhe risi për Kuvendin.
“Kjo jo domsodoshmërisht duhet të shihet si risi në kuptimin e freskimit të punës apo efektivitetit të legjislaturës sepse përvoja jonë na tregon diçka tjetër. Sidomos me legjislaturën e fundit ka qenë një lloj optimizmi i përgjithshëm, sidomos deputetët e rinj me përvojën e re në politikë janë paraparë të kenë një lloj entuziazmi më shumë për ligjbërje, punën e tyre në Kuvend, nuk ka dalë të jetë kështu”, ka thënë ajo.
E, ndërsa ka folur për seancën e javës së kaluar ku deputetët e shumicës kaluan një sërë ligjesh me procedurë të përshpejtuar, Kastrati ka theksuar se kjo procedurë “nuk është aspak demokratike”.
“E kemi quajtur ashtu (‘Aksham pazari’) sepse e ka pasqyruar atë që ka ndodhë dhe punën e Kuvendit, që duke pasur parasysh rëndësinë e komisioneve që e kanë. Nuk është praktikë e mirë për ne dhe ka qenë vullnet politik që ato gjëra të ndodhin javën e kaluar. Ka qenë një lloj pasqyre e përgjithshme e punës së Kuvendit për këto 4 vjet”, ka thënë ajo.
Dakaj: Mbi 20 deputetë të VV-së hapën për herë të parë llogari, pra ishte puna e parë e tyre
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka thënë se në legjislaturën e fundit mbi 20 deputetë të pushtetit kanë hapur për herë të parë xhirollogari dhe janë regjistruar në Trust e Administratë Tatimore si tatimpagues.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Dakaj ka thënë se kjo legjislaturë ka qenë krejtësisht e ndryshme prej atyre të mëparshme.
Sipas tij, pushteti i madh prej 51% të votave e ka përmbysur fuqinë e deputetit.
“Unë mendoj se janë disa faktorë që kjo legjislaturë ka qenë ndryshe prej krejt legjislaturave të tjera. Nëse flasim se si kanë ardhur deputetët që, mbi 20 prej tyre është përfolur që kanë hapur për herë të parë xhirollogari, pra janë regjistruar në Trust dhe Administratë Tatimore si tatimpagues, mbi 20 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë që nuk e kanë pasur asnjë punë paraprake. E ka bërë ndryshimin e kësaj legjislature fryma. E ke të vetmen legjislaturë ku nuk ka pasur debat parlamentar të mirëfilltë. Sot fuqia më e madhe është e kryeministrit sesa e deputetëve të Kosovës, për faktin se janë mbi 51%. Ky pushtet kaq i madh dhe kjo arrogancë e ka përmbysur fuqinë e deputetit”, ka thënë ai.
Ahmeti: VV-ja në fazën e lutjeve ndaj figurave të njohura për t'i futur në listë, ka edhe që qajnë
Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Bardh Ahmeti, ka thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht është në fazën e fundit, në atë kur luten figurat e njohura për t’u futur në listën e kandidatëve për deputetë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Ahmeti ka thënë se presioni cdo herë shkon duke u rritur.
“Te Vetëvendosja unë besoj se aty janë në fazën e fundit të lutjes së disa figurave të rëndësishme që kanë kontribuar apo që vijnë nga familjet e shquara në Kosovë dhe që po përpiqen me çdo kusht t’i fusin në listë dhe me kalimin e kohës presioni vetëm shkon duke u rritur. Për dallim prej LDK-së dhe PDK-së, përplasje në Vetëvendosje nuk ka hapësirë të ketë. Në Vetëvendosje është figura e një kryetari super-autoritar. Përjashtimi i deputetëve si Eman Rrahmani e Visar Korenica ishte mesazh për deputetët e tjerë që kushdo që nuk është i dëgjueshëm deri në fund ndaj liderit e pret fati i njëjtë”, ka thënë ai.
Sipas Ahmetit, ka pasur raste që brenda kësaj partie deputetët kanë qarë për shkak të renditjes së tyre në listën e deputetëve.
“Më parë, kur Vetëvendosja ka qenë më keq qoftë me sondazhe, qoftë me shifra në zgjedhje, ka pasur diskutime të tilla. Më 2017 sa kemi qenë pjesë e Vetëvendosjes, më kujtohet që ka pasur deputetë që kanë filluar të qajnë sepse janë renditur më poshtë sesa që ata kanë besuar apo që e kanë vlerësuar veten, konkretisht në atë kohë, nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha që ka qenë shumë e inatosur pse është në listë nën Albulena Haxhiun, sepse ka konsideruar se ka dhënë kontribut më të madh”, është shprehur ai.
Dakaj: Lufta brenda partive shkak për vonesat në dorëzimin e listave
Partitë politike nuk e kanë respektuar afatin e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë. Ato kanë pasur kohë më shumë se tre muaj për dorëzimin e listave. Por, në mungesë të listave, KQZ-ja e ka shtyrë afatin deri në mesnatën e të mërkurës.
Shkëlzen Dakaj nga gazeta “Infokusi” ka thënë se vonesat kanë ndodhur për shkak të telasheve të brendshme të partive politike.
“Ky është problem i të gjitha partive politike për shkak të telasheve të brendshme që i kanë me numrat dhe njëkohësisht me njerëzit që përfshihen në këto lista. Edhe kësaj here kemi pasur thuajse në të gjitha partitë, nuk është që kanë pasur kërkesa ose numra të mëdhenj të njerëzve... domethënë janë bërë telashe sepse nuk kanë pasur vend t’i fusin kuadrot dhe numrin e madh të kandidatëve për deputetë, por brenda partive politike janë edhe grupet, klanet e caktuara, në këto zgjedhje i kemi thuajse në të gjitha partitë, përjashto VV-në që nuk e dimë ende a janë reale ato klanet e brendshme apo kjo lufta e gjeneratave. Mesa duket është kjo që shkakton vonesa”, ka thënë ai në “Konfront” në KTV.