Ekstremizmi fetar në Kosovë është shndërruar dhe po manifestohet ndryshe nga vitet e mëparshme, ka deklaruar Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.
Në një diskutim të martën në “Konfront” për vrasjen e policit Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill, Hasani theksoi se sot ekstremizmi fetar nuk shfaqet më hapur, por vepron në jetën private, gjë që e bën më të vështirë identifikimin nga institucionet e sigurisë.
“Sot, grupe të caktuara me ide ekstremiste funksionojnë në mënyrë më të fshehtë dhe nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me institucionet fetare zyrtare, siç është BIK-u. Ka grupe si ato të tekfirëve, që kanë qenë të lidhura me grupet e ISIS-it dhe që refuzojnë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, duke mos i njohur ato”, theksoi Hasani.
Ajo shtoi se veprime të tilla nuk janë rastësore dhe përmendi si shembull sulmin ndaj Gjykatës në Kaçanik, të cilën e përshkroi si shprehje të qartë të refuzimit të rendit shtetëror dhe synimit për të ndërtuar struktura paralele.
Sipas Hasanit, institucionet duhet të jenë më të përgatitura për të kuptuar se si ky fenomen është transformuar dhe të përqendrohen në parandalim dhe integrim efektiv të komuniteteve.
Bajraktari: Çdoherë po duhet të ndodhë një krim që institucionet të alarmohen
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se Policia është përgjegjësja e parë kur flitet për dështimin e institucioneve në rastin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamet Lika, pasi i dyshuari kryesor për veprën ka pasur edhe një urdhërarrest për të cilin Policia duhet të vepronte.
Ai në “Konfront” ka shtuar se institucionet vendore po alarmohen vetëm pasi po ndodhin krime të rënda, si rasti i vrasjes së rreshterit.
“U tha se ka pasur urdhërarrest, që nënkupton se masa ka qenë në letër e ai nuk ka qenë në ekzekutim të masës, sepse masa ka dy kategori – masë në institucion korrektues apo në institucion të veçantë. Në rastin konkret, përgjegjëse për të bërë ekzekutimin e urdhërarrestit është Policia, prandaj IPK ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Është për keqardhje sepse përherë po duhet me ndodhë një ngjarje e rëndë që institucionet të alarmohen dhe të fillojnë veprimet”, është shprehur ai.
Muriqi: Shteti duhet të ndryshojë qasjen ndaj të dënuarve për ekstremizëm
Alban Muriqi, drejtor i Institutit për Avokimin e Politikave Korrektuese, ka theksuar nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe humane ndaj të dënuarve për ekstremizëm në Kosovë.
Sipas tij, këta persona nuk kanë përsëritur veprat pas dënimit dhe kjo duhet të jetë një nxitje për t’u punuar më shumë me ta.
“Tek e fundit, janë njerëz. Janë njerëz që mund të përmirësohen. Nëse janë dënuar 100, ia vlen të investohet në ta. Shteti duhet të jetë më afër”, u shpreh Muriqi në “Konfront”.
Ai theksoi se, ndonëse Kosova ka ndërmarrë hapa përmes legjislacionit dhe ka ndjekur standarde ndërkombëtare, përballja me fenomenin e ekstremizmit mbetet e vështirë dhe jo gjithmonë efektive.
“Edhe pse i kemi institucionet, po na ndodhin raste brenda shtëpisë sonë me pasoja të rënda”, paralajmëroi Muriqi, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të gjerë institucionale për parandalimin e ekstremizmit.
Sipas tij, shkollat, komunitetet, burgjet dhe qendrat për punë sociale duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sistem parandalues funksional.
“Pa një qasje shumë-institucionale, nuk ka efekt”, përfundoi ai.
Kabashi: Për lëshimet në hetime për djegien e gjykatës në Kaçanik, po hetohen policët
Flamur Kabashi, monitorues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se për lëshimet e bëra gjatë hetimeve në rastin e djegies së gjykatës në Kaçanik po hetohen policët.
Ai ka theksuar se ky është shembull i mirë se si duhet të veprohet kur ka lëshime nga zyrtarë policorë.
“Është kthyer në rigjykim pjesa e të miturve në Ferizaj që kanë qenë duke u gjykuar, me ankesën e Prokurorisë Speciale është kthyer në rigjykim. Eprorët e Policisë së Kosovës janë lajmëruar për lëshimet që kanë bërë dhe që kanë ndodhur gjatë hetimit të rastit. Në këtë formë duhet vepruar, kur ke lëshime gjatë hetimit”.