Arbëri

Bajra: Buxheti i planifikuar për vitin 2025 Kosovës i sjellë rritje ekonomike afro 3 për qind

Ujkan Bajra ne Interaktiv

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Ujkan Bajra, ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2025 prej 3.6 miliardë euro i sjellë Kosovës një rritje ekonomike rreth 3 për qind. Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se kjo rritje nuk është e mjaftueshme. 

“Ky alokim i shpenzimeve realisht s’mundet me siguru e për shumë arsye edhe s’mundet të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik...Ky buxhet që është planifikuar për vitin 2025, saktësisht mundet me i sjellë një rritje ekonomisë së Kosovës deri 3 për qind. Kjo është e pamjaftueshme”, ka thënë Bajra. 

Bajra ka pasur edhe kritika ndaj Qeverisë dhe komunave sa i përket mosrealizimit të mjaftueshëm të investimeve kapitale. 

“Kemi planifikim buxheti, ka edhe një keqmenaxhim. Jo abuzim me buxhetin, por keqmenaxhim. Nëse buxheti nuk shpenzohet sipas asaj që është planifikuar, atëherë s’mund të themi se performanca ka qenë e mirë. Nëse bëhet realizimi mbi 85 për qind apo 90 për qind sa i përket investimeve kapitale, atëherë lavdadat do të gjenin vend. Në këto situata s’ka vend për lëvdata”, ka thënë Bajra. 

Ai ka thënë se edhe komunat nuk qëndrojnë mirë sa i përket realizimit të investimeve kapitale, porse prapë “janë më mirë” se niveli qendror.