Arbëri

Bajqinovci: Raporti i DASH-it për qeverisjen e VV-së, shumëfish më i mirë se për PDK-në e LDK-në

Mefail Bajqinovci

Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën e që ka vënë në pah korrupsion serioz qeveritar, është shumëfish më i mirë se që kanë qenë raportet për ish-qeveritë.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Bajqinovci ka thënë të enjten se në këtë raport janë vetëm kallëzimet penale të opozitës dhe se nuk ka asnjë aktakuzë apo gjykim ndaj zyrtarëve të lartë të VV-së.

Duke i komentuar rastin e ministreve Donika Gërvalla dhe Rozeta Hajdari për dënime për vonesa në deklarim të pasurisë, Bajqinovci ka thënë se “vonesa nuk krahasohet me fshehje të pasurisë”.

Ai ka thënë se raporti i DASH-it në të kaluarën ka theksuar se në Kosovë ka korrupsion “endemik, e në këtë Qeveri kjo nuk ndodh”.

“Ky është raport ndërkombëtar i SHBA-së që merr shumë argumente nga të gjitha anët. Por unë mendoj se në Qeverinë e Kosovës, ministri, apo kudo ku ka nivel politik deri sot s’ka asnjë rast për të cilin mund të themi se ka aktakuzë apo gjykim”, ka thënë ai duke shtuar se në raportin 2015-2016 në Kosovë kanë qenë 250 zyrtarë të hetuar për korrupsion “sepse në qeverisjet e kaluara çdo dy javë ka pasur skandale, janë vjedhur kah 2 milionë euro e kanë humbur nga 40 milionë euro”.

Duke folur për sistemin e drejtësisë, Bajqinovci ka thënë se ndërkombëtarët “të bllokojnë te vettingu, ndërsa në raporte kritikojnë për gjyqësi të ndikuar politikisht e të korruptuar.

Për akuzat e opozitës, Bajqinovci ka thënë se “atyre ua ka treguar vendin populli”.

“Më së pari, të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se kemi qenë me Somalinë në Transparency International dhe sot jemi 22 vende më lartë. Në kohën e opozitës aktuale kemi qenë me Somalinë. Ne prijmë tash për të gjitha. Nëse është dikush që ia ka treguar populli vendin, janë LDK-ja dhe PDK-ja. I shihni sa deputetë i kanë dhe sa afera i kanë. Kanë pasur deputetë të dënuar, kryetarë të komunave, ministra e ne asnjë... Ata mund të flasin vetëm për punën e tyre e te ne s’mund ta vënë gishtin mbi ndonjë aferë te VV-ja. Ua ka treguar populli vendin. Raporti i DASH-it karshi raporteve të tjera që e ka quajtur korrupsion endemik, është shumëfish më i mirë se raportet që i kanë pasur PDK-ja e LDK-ja”, ka thënë ai.

Raporti i DASH-it, i publikuar më 22 prill, ka theksuar se nuk ka pasur ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.


Bajqinovci: Opozita nuk do zgjedhje e di se çfarë e gjen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se partitë opozitare nuk janë për zgjedhje të reja, pasi sipas tij ato “e dinë se janë shumë keq”. 

“Ata dolën e thanë po e çojmë vendin në zgjedhje. Kryeministri Kurti tha po ju ndihmojmë, e kur e tha këtë, LDK-ja u tërhoq tha s’jemi pjesë e këtij procesi. Pastaj e lanë në lloç Ramushin, ai mbeti i vetëm. Nëse i dëgjon para kamere ata flasin për zgjedhje, kur dalin pas kamerave e dinë çfarë i gjen...e dinë se janë shumë keq në sondazhe. Shumë keq. Më 2021 në sondazh të UBO Consulting ishim 44 për qind, para dy jave ishim 49 për qind. Lufta po bëhet për vend të dytë mes LDK-së e PDK-së”, ka thënë Bajqinovci në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai ka thënë se është i bindur se edhe Qeveria e ardhshme do të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe partitë e komuniteteve.