Ismet Bahtijari të enjten para trupit gjykues u shpreh i penduar, për veprat të cilat e ka pranuar fajësinë se i ka kryer.
Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, e pyeti atë nëse është penduar për veprimet që ka ndërmarrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Zoti Bahtijari, kam një pyetje por nuk e ke për detyrim që të përgjigjesh. A je penduar? A të vjen keq, a je bërë pishman që ke bërë atë që ke bërë? A mendoni që ajo që keni bërë ka qenë e gabuar dhe nuk ka qenë një gjë e mirë?”, pyeti gjykatësja.
“Po, po”, u përgjigj Bahtijari.
Kurse, gjykatësja ia përsëriti: “Domethënë, je penduar?”.
Edhe këtë herë, Bahtijari pohoi se është penduar, por që kur u pyet se pse mendon që ka qenë e gabuar ajo që ka bërë, ai nuk u përgjigj.
Përpara kësaj, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se i mbrojturi i saj e ka bërë shumë të qartë që nuk do që të flasë në sallën e gjyqit për asgjë e sidomos për këtë pjesë.
Në anën tjetër, mbrojtja e Sabit Januzit, avokati Jonathan Elystan- Rees tha se vendimet për marrëveshjet për pranimin e fajësisë duhet të merren para pushimit.
“Unë kërkoj nga trupi gjykues që të nxjerrë një vendim për të miratuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe të caktojë dënimet në përputhje me ato marrëveshje, duke mbajtur parasysh edhe kohën e kaluar në paraburgim. Unë do të kisha kërkuar që ky vendim të dalë përpara pushimit. Kjo çështje e zbatueshmerisë së zhdëmtimeve është një çështje tërësisht e ndarë dhe mendoj që vendimi për marrëveshjet e fajësisë duhet të merret pavarësisht prej çështjes së zhdëmtimeve”, tha Rees.
Qëndrim të ngjashëm kishte edhe mbrojtja e Haxhi Shalës, Toby Cadman, i cili tha se vendimi duhet të merret sa më shpejtë të jetë e mundur.
Seanca pritet të vazhdojë me çështje administrative pas një pushimi, ku Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u lejuan që të mosmarrin pjesë.
Mbrojtja kërkon lirimin e menjëhershëm të Ismet Bahtijarit
Felicity Gery, avokatja e cila përfaqëson Ismet Bahtijarin, ka kërkuar nga Gjykata Speciale lirimin e menjëhershëm të klientit të saj, ndonëse ai ka pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Siç e dini, familja e tij është ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme. I përmenda edhe në seancë private, ju e dini se çfarë pasojash ka pasur ky proces gjyqësor mbi atë dhe familjen e tij, si dhe keni edhe përshkrimin nga anëtarë e komunitetit të tij dhe ju duhet të dilni në përfundimin që ky person duhet të shkojë në shtëpi, ka nevojë për atë në shtëpi”, tha Gery.
Ajo tha se situata e klientit të saj është shumë e trishtë dhe se në rast që nuk mund të pranohet sot kërkesa, atëherë lirimi i Bahtijarit të bëhet sa më shpejt që është e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ka pasur më shumë vështirësi se të tjerët në paraburgim. Situata e tij është shumë e trishtë. Duhet të jetë në shtëpi e me familjen e tij për kohën që i ka mbetur. Ne mendojmë që kjo duhet të bëhet menjëherë dhe ju lutem që ta merrni parasysh nga data 10 dhjetor, nga ajo ditë. Ju lutem të gjeni një dënim që merr parasysh lirimin e tij të menjëhershëm këtë ditë, 19 dhjetor 2024, pra që sot. E kuptojmë që kjo ju vendos në trysni të jashtëzakonshme. Nëse nuk mund ta pranoni këtë kërkesë sot, ju lutem ta lironi sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha avokatja.
Për Bahtijarin, Gery tha se e ka përgjegjësinë e ulët të fajësisë në këtë rast, e që thotë se ka vepruar sipas udhëzimeve. Sipas saj, në këto veprime nuk ka kërcënime.
Ajo shtoi se duhet të merren parasysh edhe rrethanat personale, statusin financiar, moshën e të tjera, sa i takon dënimit.
Prokurori John Deveney tha se qëndrimi i Prokurorisë është që dakordimi është bërë për dy vjet burgim për këtë rast.
“Ky është dënimi më i ulët që mund të jepet për këtë lëndë gjyqësore. Është një dënim i drejtë, i përshtatshëm edhe mbulon edhe faktorët lehtësues që përmendi avokatja. Ky dënim e ka marrë parasysh faktin që i akuzuari ka pranuar fajin, kohën kur e ka punuar, bashkëpunimin nga i akuzuari që në fakt ka pasur prani të kufizuar, karakteri i të akuzuarit dhe roli i Bahijarit në krahasim me të akuzuarit e tjerë dhe parashtrimet lidhur me shëndetin”, tha prokurori.
Ndryshe, para kërkesës për lirimin e menjëhershëm të Bahtijarit, seanca për disa minuta ishte private. Ndërsa, një pjesë të parashtrimeve edhe prokurori kërkoi që t’i bëjë në seancë private.
Pasi u hap seanca, prokurori tha se veprat e tilla penale e pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe pengojnë procesin me përgjegjësi. Tha se vendimi për të cilin kanë rënë dakord me Bahtijarin është i drejtë dhe duhet të pranohet nga trupi gjykues duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia theksoi se nuk do të marrin vendim lidhur me marrëveshjet e fajësisë sot dhe as sa i takon dënimit.
“Sot nuk do të ketë lirim”, tha gjykatësja.
Ismet Bahtijari deklarohet fajtor
Ismet Bahtijari ka ndryshuar deklaratën e tij nga i pafajshëm në fajtor lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe atë të frikësimit.
Januzi u përgjigj me “Po”, kur u pyet se a është i gatshëm që të ndryshojë deklarimin fillestar si i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Si rrjedhojë, atij iu lexuan akuzat sërish, ku për secilën prej tyre u deklarua fajtor.
Veç kësaj, Bahtijari pohoi se marrëveshjen me ZPS-në e ka arritur me vullnetin e tij dhe që askush nuk e ka detyruar.
Ndërsa sa i takon zhdëmtimit, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se kanë bërë disa komente me shkrim duke përfshirë edhe atë që të mos ketë kosto financiare për Bahtijarin që përfshihet çdo kosto e mundshme qoftë për zhdëmtime apo për shpenzime.
Ajo gjithashtu tha se dje është dhënë dje urdhri në gjykatë për kërkime lidhur me viktima të mundshme dhe sipas saj ata nuk mund të bëjnë parashtrime deri sa të përfundojë ky hetim i cili është urdhëruar.
Gery tha se parashtrimet e tyre do t’i bëjnë të plota në momentin që urdhri lëshuar nga gjyqtarja zbatohet.
Ndërsa, prokurori John Deveney tha se janë në një fazë të hershme dhe nuk dihet se a do të ketë viktima pjesëmarrëse në këtë rast. Megjithatë edhe ai tha se do të presin zbatimin e urdhrit të gjykatës lidhur me këtë pjesë.
Ndërsa sa i takon dënimit, Gery tha se nuk po kërkojnë asgjë më tepër së marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe kërkoi që ajo të merret parasysh dhe të pranohet nga gjykata./Betimi për Drejtësi
