“Erdh në Jezerc nja dy-tri ditë para se me marrë. Na ka pru ushqim atje në Jezerc se unë kam qenë ushtar - dhe gruan, çikën dhe motrën e kisha atje”, kujton Fadil Nuha. “Edhe i thashë: Rri babë! Tha: Jo, unë s’e lëshoj shpijën”, shton Nuha, duke kthyer shikimin anash kah shtëpia trekatëshe, ndërtuar në fillimvitet tetëdhjetë, kur babai nuk kishte guxuar të kthehej për tre vjet për shkak se druante se do ta arrestonin si pjesëtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës në Gjermani. E kishin arrestuar e lidhur për karrigen e trenit herëve të tjera.
Askush nuk ia kishte mbushur dot mendjen Xhemajl Hasan Nuhës që ta lëshonte pragun, edhe pse forcat serbe po hynin e dilnin në shtëpi për t’i plaçkitur gjësendet më të çmuara. Nuha e dinte se ishte në listat e shërbimeve sekrete serbe. Ishte pjesë e strukturave organizative të mërgatës, që po ndihmonte lëvizjen ilegale në Kosovë. Disa herë gjatë viteve tetëdhjetë e kishin arrestuar dhe ia kishin konfiskuar pasaportën për muaj të tërë. Më 1998, me të krisur lufta në Kosovë, do të kthehej t’i qëndronte afër familjes. Djalin, Fadilin, e kishte në radhët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Nerodimes në Jezerc të Ferizajt. Pak ditë para se ta merrnin forcat serbe në shtëpinë e tij në Manastirc, Xhemajl Nuha e kishte vizituar të birin në fshatin ku ndodhej edhe shtabi i zonës.
“Erdh në Jezerc nja dy-tri ditë para se me marrë. Na ka pru ushqim atje në Jezerc se unë kam qenë ushtar - dhe gruan, çikën dhe motrën e kisha atje. Pruni do ushqim, sheqer e do sene, edhe i thashë: ‘Rri nalt!’. I thashë komandantit me ia gjet një vend”, kujton Fadil Nuha. “Edhe i thashë: ‘Rri babë!’ Tha: ‘Jo, unë s’e lëshoj shpijën’”, tregon Nuha, duke kthyer shikimin anash kah shtëpia trekatëshe, ndërtuar në fillimvitet tetëdhjetë, kur babai nuk kishte guxuar të kthehej për tre vjet për shkak se druante se do ta arrestonin si pjesëtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës në Gjermani. “Ajo ka qenë dita e fundit që e kam pa sa isha në Jezerc te Shtabi, sepse unë kisha detyra ushtarake. Kam shku edhe pak në mbrëmje, me thanë nja një orë e gjysë”.
“Nana e ka pa atë natë kur e kanë marrë”
Xhemajl Nuha, 64 vjeç, është njëri prej pesë viktimave të fshatit Manastirc. Katër bashkëfshatarë të tjerë ishin vrarë më 30 prill, dy ditë para se Nuhën ta merrnin nga shtëpia. Ndryshe prej viteve të kaluara, kur ceremonia përkujtimore mbahej bashkërisht më 30 prill, sivjet familjarët po ngushëllohen prej të afërmve nëpërmjet thirrjeve telefonike. Fadil Nuha thotë se të martën ka pranuar shumë telefonata. E kanë ngushëlluar edhe dy vëllezërit, dy motrat dhe nëna, të cilët jetojnë në Gjermani. Shaha Nuha nuk iu nda bashkëshortit derisa forcat serbe e gjuajtën me plumba te dyert e oborrit, përderisa burrin po ia mbanin para tytave të armëve.
“Nana e ka pa atë natë që e kanë marrë babën”, thekson Fadil Nuha. Kthehet majtas, duke treguar vendin ku ishin dyert e vjetra të oborrit, që do të shpoheshin prej plumbave të paramilitarëve që i kishin shkrepur në drejtim të saj pasi ajo refuzoi urdhrin e tyre “për të shkuar në mal”.
“Nana ka shkuar te Lagja e Shumojve, ku ka qenë popullata. Kur ka ardhur të nesërmen e ka pa që baba nuk është”, shton ai.
“Ku ma keni çu burrin?”
Shaha Nuha menjëherë ishte nisur në drejtim të shtëpive të fqinjëve të mbushur me pjesëtarë të forcave të rregullta e paramilitare serbe. “U kish pas thanë: ‘Ku ma keni çu burrin?’”.
Serbët do t’i përgjigjeshin pa fjalë. “Veç e kishin pas raportit kallashin për me i tregu se e kanë vra”, tregon Fadili dëshminë e nënës Shahë, e cila do të kthehej në shtëpi vetëm sa për t’i lëshuar dy lopët nga ahuri. “Nana është e fortë e po mbahet”, thotë Fadil Nuha, duke treguar se një natë më parë ka folur me të.
Xhemajl Nuha është vetëm njëri prej 1641 personave të zhdukur. 27 prilli shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë. Fadil Nuha thotë se për çdo vit, anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nderojnë të gjitha viktimat e masakrave më të mëdha gjithandej Kosovës. “Në prill shkojmë në të gjitha përkujtimet e masakrave”, thekson ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka konsideruar 27 prillin e vitit 1999 “të kobshëm” – dita kur u masakruan 376 civilë në Meje të Gjakovës. “Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatur për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
“Më shumë po na e prish politika”
Ish-luftëtari Fadil Nuha thotë para derës së shtëpisë, ku ia morën babanë më 28 prill 1999, se mërzinë për mosgjetjen e eshtrave po ua shtojnë familjarëve të të pagjeturve edhe më shumë politikanët. “Më shumë po na e prish politika, se njeri s’ka çka ban”, thotë ai.
Sot e kësaj dite nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga asnjë institucion vendor a ndërkombëtar për fatin e babait. Katër bashkëfshatarët të vrarë dy ditë pas tij ishin gjetur në fshat. Por, Fadil Nuha beson se trupin e babait mund ta kenë hedhur kudo. “Është vështirë me gjetë, se ndryshe prej rasteve ku janë dhjetëra viktima është vështirë të gjendet një, se mund ta kenë hedhur edhe në mbeturina dhe dikush mund t’i ketë pastruar pasluftës kur është pastru fshati”.
Vetë veterani i luftës me bashkëfshatarë kishte nxjerrë një trup të pajetë në një pus të fshatit menjëherë pas luftës. Ai thotë se forcat serbe kishin hedhur edhe një qen dhe materiale inerte mbi kufomën e një bashkëfshatari. Xhemajl Nuha dhe viktimat e tjera të fshatit nderohen në përvjetorë dhe në ditën e shkollës së fshatit. Aty në skenë ngjitet edhe Xhemajli riosh. “Kur lindi ia përtërina emrin e babës”, thotë Fadil Nuha, duke treguar se të birit i drejtohen me Mal. “Po, Mal, se krejt e kanë thirr babën aga Mal”.
(Ky shkrim botohet në bashkëpunim me forumZFD Kosovë, në kuadër të angazhimit “Përballja me të kaluarën”)