Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ka thënë se nga protesta e sotme nuk kanë kërkuar asgjë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij, për shkak të liberalizimit të vizave, sektori privat nuk i bie më në dy gjunjë kompanive private.
Azemi ka thënë se vitin e ardhshëm mund të mos kenë me kë të mbajnë greva.
“Ne kemi dalë të tregojmë që nuk jemi më ata që do të iu lusim, por kemi dalë për t’iu thënë se ju jeni shkatërrimi i punëtorëve të sektorit privat. 3 vjet e gjysmë iu kemi bërë kërkesë pa ndërpre Kurtit e ministrit të Financave, Hekuran Murati që të ulemi të bisedojmë sepse do të vjen kjo gjendje, ata nuk kanë qenë në gjendje të bisedojnë”, ka thënë ai.
Azemi ka thënë se vendi ka ikje të punëtorëve të përhershëm.
Sipas tij, ka rrezik që shumë kompani do të falimentojnë për mungesë të punëtorëve.
“Rrezik të ndjeshëm do të ketë në spitale, ambulanca. Tregu është çrregulluar. Me rishikimin e buxhetit ne duhet të futemi sërish në grevë. Ndoshta nuk do të kemi edhe me kë të futemi në grevë. Gjendja është e rëndë por askush nuk e paraqet gjendjen reale. Për një muaj kemi qëndruar në grevë në Universitetin e Prishtinës dhe nuk ka pasur reflektim. Dekanët e fakulteteve kanë pastruar vetë”, ka thënë ai.
Azemi ka deklaruar tutje se sikur të mos kishte qenë liberalizimi i vizave një kompani private do të mund ta paguante një punëtor 170 euro, porse nuk mund të ndodhë më.
Ai ka thënë se në tremujorin e parë kanë ikur 150 mijë punëtorë, ndërkaq sipas të dhënave statistikore të Aeroportit të Prishtinës, në katërmujorin e parë kanë udhëtuar 840 mijë njerëz.
Sipas tij, ka një numër të madh të punëtorëve të cilët janë duke pritur kontratat nga kompanitë e huaja.
“Në asnjë rast nuk është zgjidhje dhe nuk po tregon rezultat ardhja e punëtorëve nga jashtë. Kemi pas raste kur kemi qenë të diskriminuar për të njëjtën punë që e bëjmë. Punëtorët e Bangladeshit kanë qenë me rroga më të privilegjuar gjithashtu edhe me meny të ushqimit. Është defekt i atyre njerëzve që mendojnë se fuqinë punëtore vendase do ta zëvendësojnë”, ka thënë ai.