Arbëri

Rreth 70 % e punëtorëve në sektorin privat u infektuan gjatë pandemisë

Mbi 70 % e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit janë infektuar me koronavirus gjatë kohës së pandemisë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, gjatë një konference për media ku ka shpalosur problemet e sektorit privat gjatë pandemisë.

Sipas Azemit, ka raste kur punëtorët nuk janë lejuar të testohen nga pronarët e kompanive, ndërsa janë obliguar të bartin edhe trupa të pajetë të të vdekurve nga Covid-19.

“Kemi pas raste të shpeshta kur pronarët e kompanive edhe pse punëtorët e sektorit privat kanë shprehur dyshimet se ata janë të infektuar dhe kanë kërkuar që së paku të lejohen e të shkojnë të bëjnë analizat lidhur me këtë gjendje, por pronarët e kompanive nuk i kanë lejuar por kemi edhe raste kur në institucione shtetërore që punëtorët e sektorit privat mirëmbajnë objektet e ministrive përkatëse ka pas raste kur punëtorëve iu ka rënë të fiktë nga pandemia dhe pronarët e kompanive jo vetëm që nuk kanë qenë afër tyre por as nuk i kanë bartur deri në emergjencë”, ka thënë ai.

Azemi më tutje ka kritikuar qasjen e Inspektoratit të Punës karshi problemeve të punëtorëve në sektorin privat derisa ka thënë se rreth 80% e pakos emergjente ka përfunduar në kuletën e pronarëve të kompanive.

“Thuhet se pako emergjente ishte pako e cila i është dedikuar kryesisht punëtorëve. Ne me plotë përgjegjësi e themi se më shumë se 80 përqind e pakos ka shkuar prapë në kuletën e pronarëve të kompanive sepse në mënyrë retroaktive të gjitha pagat që Ministria e Financave ka ekzekutuar pagat për sektorin privat ato në fund në mënyrë automatike janë tërhequr apo zbatuar nga pronari i kompanisë dhe nuk është përfituar asgjë”, ka thënë ai.

Azemi ka kritikuar Kuvendin lidhur me moskalimin e pakos së rimëkëmbjes derisa e ka vënë në dyshim nëse punëtorët e sektorit privat do të përfitojnë ndonjë gjë nga kjo pako.