Arbëri

Azemi: Në privat, absolutisht nuk do të zbatohet vendimi për pagë minimale 350 euro

Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur i bindur se nuk do të zbatohet vendimi i Qeverisë për rritje të pagës minimale. 

Ai në emisionin "Konfront" të mërkurën, ka thënë se kjo nuk ka mundësi të zbatohet në sektorin privat.

"Le të më garantoj dikush se nga 1 tetori do të respektohet kjo për pagë minimale 350 euro. Absolutisht jo. Nuk ka mundësi", ka thënë Azemi. 

Ai ka hedhur dyshime edhe për projektin e Qeverisë "Superpuna". Sipas tij, kjo fushatë e Qeverisë nuk ka dhënë rezultate. 

"I kemi disa biznese që familjarët e tyre i kanë paraqitur, e që me herët nuk ishin të lajmëruar", ka thënë ai.


Haliti: Me ikje të qytetarëve po përballen edhe vendet e tjera në rajon, Kosova qëndron më mirë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka thënë se asnjëherë nuk e kanë mohuar ikjen e një pjesë të qytetarëve nga Kosova për të punuar dhe jetuar. 

Por sipas tij me këtë problematikë nuk është përballur vetëm Kosova. “Janë përballur edhe përballen të gjitha vendet e rajonit, deri në Kroaci. Edhe Kroacia e ka të njëjtin problem, me të njëjtin problem është përballur edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, edhe Serbia, të gjitha vendet e rajonit janë përballur me këtë fenomen të ikjes së qytetarëve për një punë ose jetë më të mirë, se kemi mohuar asnjëherë”, ka deklaruar Haliti. 

Por sipas tij Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit. 

“Bullgaria, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria këto shifra i kanë shumë, shumë më të larta në raport me numrin e popullsisë që e kanë”, ka theksuar Haliti. 


Bajra: Nuk ka rënë papunësia, por ka rënë kërkesa për punë

Sipas Ujkan Bajrës, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, nuk ka rënë papunësia por se ka rënë kërkesa për punë. 

Ai ka thënë se nuk është e mundur të bie shkalla e papunësisë për dy vjet ashtu siç është raportuar të jetë. 

“Nuk ka rënë papunësia, por ka rënë kërkesa për punë. Papunësia vjen kur nuk ka kërkesë për punë, se është e pamundur që për tri vjet prej 30% që është raportuar të papunë, në dy vjet të bie në 10.9 për qind. Kjo rënie është si rezultat i rënies së kërkesës për punë”, ka thënë ai në “Konfront”. 

Bajra ka shtuar se ka një numër faktorësh që kanë ndikuar në rënien e kërkesës për punë dhe se kjo sjellë pasoja.  

“Ka numër të madh të faktorëve, por kur bie kërkesa për punë, kemi mungesë të fuqisë punëtore. Kur ka mungesë të fuqisë punëtore rriten çmimet. Nëse dikush thotë se ka rënë papunësia, nuk qëndron në kuptimin real të numrave. Pse? Sepse kur bie papunësia të paktën rritet zhvillimi ekonomik. Kështu që nuk ka mundësi me 3.1% rritje ekonomike vitin e kaluar, që papunësia të jetë 10.9%”. 


Azemi: Nuk kemi të papunë, por kemi mungesë të punëtorëve - shkak liberalizimi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se në Kosovë nuk ka të papunë, por ka mungesë të punëtorëve. 

Ai ka thënë se mendon që shifrat e dhëna nga Qeveria që papunësia në Kosovë është vetëm 10.7 për qind nuk janë të sakta. 

Sipas tij shkalla e papunësisë mund të jetë edhe më e vogël. 

“Ndoshta ky numër është edhe më i vogël, sepse njerëzit që dalin në terren dhe e shohin gjendjen reale, jo që kemi njerëz të papunë, por kemi mungesë të punëtorëve në sektorin privat të Kosovës, nuk ka kompani në Kosovë që nuk e ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve”, është shprehur Azemi në emisionin “Konfront” , në KTV. 

Sipas tij kjo është pasojë e liberalizimit të vizave. “Liberalizmi i vizave është një bumerang i madh për Kosovën, që në fakt Kosova ka mbetur pa pjesën më vitale të punëtorëve, Kosova po shkon drejt mbylljes së disa kompanive, nuk ka ditë që nuk e shoh shqetësimin e pronarëve të kompanive, kemi mungesë të punëtorëve, kemi konkurse të hapura në 24 orë”, ka deklaruar Azemi. 

Sipas tij në këtë gjendje kanë ndikuar kjo dhe qeveritë e kaluara. 

“Vetëm një janar dhe shkurt nga aeroporti i Prishtinës kanë dalë mbi 500 mijë persona, mendojmë që rreth 100 mijë nga ta kanë shkuar të kërkojnë punë”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se shumë kompani e kanë injoruar fuqinë punëtore.

“Edhe sot nuk jemi duke ua dhënë atë që e meritojnë punëtoret e sektorit privat, jo të gjitha kompanitë, por një pjesë e madhe e tyre e kanë injoruar këtë fuqi punëtore dhe faturën e atyre kompanive, atyre pronarëve sot do ta mbajnë shoqëria dhe shteti i Kosovës” , ka deklaruar Azemi.


Shatri: Rezultati i regjistrimit të popullsisë rrëzon statistikat e Qeverisë për papunësinë

Kryeministri Albin Kurti të hënën ka prezantuar disa shifra sa i përket papunësisë në Kosovë, e që sipas tyre, te burrat papunësia ka rënë në 7.9 për qind, ndërsa te gratë në 17.2 për qind.

Por, Haki Shatri, ish-ministër i Financave, nuk pajtohet me këto shifra. Sipas tij, matja e papunësisë bëhet bazuar në numrin e banorëve që janë në moshë pune.

“Vlerësimi që thuhet shkallë e punësimit dhe papunësisë matet me numrin e banorëve që janë në moshë pune, jo në këtë që e kemi nda ne popullsi aktive-joaktive. Me këtë kriter, del që 36% e banorëve në moshë pune janë të punësuar, vetëm 36 e pjesë tjetër janë të papunë”, ka thënë ai.

Shatri ka shtuar se duhet të dalin rezultatet finale nga regjistrimi i popullsisë i këtij viti që më pas të dihet edhe sa është numri i të papunëve.

“Sipas të dhënave zyrtare, është e vërtetë që janë 10.7 të papunë. Sipas tyre derisa të përpunohen të dhënat që do të dalin nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë këtë vit, mendoj se do ndryshojnë këta numra. Këto shifra janë të adaptuara për vlerësimin 1.7 milionë banorë sa është vlerësimi i fundit. Kur zbritet për 200 mijë del një strukturë tjetër”.