Arbëri

Avokatja e familjes Ukella: Dënimi i Edmond Lajçit, mësim si të trajtohen vrasjet e grave

Fehmije Gashi-Bytyqi, avokate e familjes Ukella, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë e cila të premten e dënoi me burgim të përjetshëm Edmond Lajçin për vrasjen e bashkëshortes.

Edmond Lajçi në prill të këtij viti e vrau me pistoletë bashkëshorten Gjyljeta Ukella në banesën e tyre në Pejë. Çifti kishte tre fëmijë.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Gashi-Bytyqi ka thënë se dënimet e tilla janë mësime se si duhet të trajtohen vrasjet e grave.

Avokatja ka falënderuar prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj për të cilin u shpreh se ka bërë punë të mirë.

“Gjithashtu kontribut meritor ka edhe Gjykata Themelore në Pejë. Kjo është për të inkurajuar trupin gjykues”, ka thënë ajo.

Gashi-Bytyqi tutje ka thënë se Edmond Lajçi e ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes dhe kjo, sipas saj, mund t’i sjellë benefite në shkallët e tjera gjyqësore.

“Kjo është arsyeja pse e kam kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri pasi është rrethanë lehtësuese, në raste të tjera përdoret për të zbutur dënimin. Të shohim Apelin si do të vendosë dhe më pas do ta përgatisim edhe ne përgjigjen”, ka shtuar ajo.

Lajçi, sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten më banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se çifti ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se Lajçi ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes. E në ditën kur ndodhi vrasja, në aktakuzë specifikohet se i akuzuari, pas kthimit në shtëpi nga qëndrimi gjatë natës në spital me nënën e tij që po trajtohej për një sëmundje, i ka kërkuar vajzës së tij që të dalë nga banesa për të blerë diçka në dyqan, me synimin që të mbetej vetëm me bashkëshorten.