Avokati Ahmet Tahiri ka thënë të enjten në mbrëmje se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga masa e paraburgimit Naser Hafizin që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit.
“Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit te Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, ka shkruar avokati Tahiri në Facebook.
Hafizi gjendej në paraburgim prej tetorit. Ai dyshohet se kundërligjshëm kishte iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlim të borxheve për çështjen e pagesave ujore.
Hafizi akuzohet edhe për shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Ai ishte arrestuar më 10 tetor sapo kishte aterruar në Aeroportin e Prishtinës.
Krahas tij ishte arrestuar edhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi.