Në shkresën drejtuar gjykatës, Gani Kelmendi ka treguar se si Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve ia ka kujtuar atij vendimin e OAK-së sipas të cilit avokatët e kanë të ndaluar të përfshihen në çështjen e vrasjes së Agonis Tetajt. Kelmendit ka thënë se atij i janë përmendur pasoja tjera, përfshirë heqja e licencës. Pamundësimi i mbajtjes së seancës për vrasjen e ndodhur me 2018 dhe përmbajtja e shkresës së avokatit ka bërë që të reagojë Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës
Avokati Gani Kelmendi ka hequr dorë nga përfaqësimi i palës së akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, me arsyetimin se nga Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve është kërcënuar me heqjen e licencës. Në shkresën drejtuar gjykatës ka treguar se si prokurori ia ka kujtuar atij vendimin e OAK-së sipas të cilit avokatët e kanë të ndaluar të përfshihen në këtë çështje.
Mungesa e tij ka bërë që të dështojë seanca e gjyqësore ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e 29-vjeçarit Tetaj, në shtator të vitit 2018. Kelmendi është caktuar nga trupi gjykues si përfaqësues i të akuzuarit.
“Në bisedë e sipër, prokurori disiplinor z. Rexhep Veseli më tërhoqi vërejtjen dhe më paralajmëroi për pasoja deri në heqjen e licencës së avokatit, po qe se unë do ta përfaqësoj në çështjen penale të evidentuar me nr. PKR.nr.43/19, e i cili ma përkujtoi se po ekzistuaka një vendim i Odës së Avokatëve që po u ndaluaka avokatëve të prezantojnë në këtë çështje. E nderuara gjyqtare, duke qenë se ekzistojnë këto rrethana, për fat të keq, pa vullnetin tim heq dorë nga ky përfaqësim, nga se rrezikohem të më hiqet e drejta e përfaqësimit nga OAK-ja edhe për çështje të tjera, e si rrjedhojë rrezikohet edhe ekzistenca ime”, thuhet në shkresën e avokatit, Gani Kelmendi.
Pas kësaj shkrese, ka reaguar zv. ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili përmes Facebookut, ka thënë se kjo është ndërhyrje në drejtësi dhe se u kanë kërkuar organeve kompetente të marrin masa.
“Sistemi gjyqësor nuk mund të jetë peng i tekeve personale të asnjë individi. Në përputhje me përgjegjësitë tona, si Ministri e Drejtësisë u jemi drejtuar institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë në bazë të kompetencave që kanë, presionin e kryetarit dhe të disa anëtarëve të kryesisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, ndaj mbrojtësve të palës së akuzuar që caktohen ex-officio e që po pengohen në kryerjen e detyrave të tyre. Shteti nuk dorëzohet para askujt. Para asnjërit, kushdo qoftë!”, ka shkruar Sallahu.
Veprime ka paralajmëruar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për OAK-në. Mes tjerash drejtuesit e KGJK-së kanë thënë se do të tërhiqen nga memorandumi i bashkëpunimit.
“Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, u bëri thirrje organeve drejtuese, përfshirë Kuvendit të Odës së Avokatëve që deri në takimin tjetër të Këshillit, të vendosin për përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore dhe sipas Memorandumit të bashkëpunimit me KGJK-në, përndryshe KGJK-ja në takimin e radhës do të tërhiqet nga Memorandumi i bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Odës së Avokatëve. Po ashtu, sipas memorandumit, kjo thirrje do t’i drejtohet Odës së Avokatëve edhe me shkrim nga KGJK-ja”, është thënë në njoftimin e KGJK-së.
Për këtë paralajmërim të KGJK-s, udhëheqësit e OAK-së kanë thënë se nuk janë të njoftuar. Po ashtu është mohuar edhe kërcënimi ndaj avokatit Gani Kelmendi. Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion kanë thënë se prokurori disiplinor, vetëm e ka njoftuar avokatin për vendimin, por se prokurori nuk ka kompetenca për marrjen e licencave për avokatët.
“Detyrë themelore e prokurorit disiplinor në Odën e Avokatëve të Kosovës, është ndërmarrja e veprimeve ligjore, për zbatimin e normativës së Odës. Andaj, në vazhdën e kësaj, prokurori disiplinor, vetëm e ka njoftuar anëtarin e Odës, për ekzistimin e një akti ligjor (vendimit në fuqi) të Këshillit Drejtues dhe assesi nuk e ka kërcënuar avokatin me marrje të licencës dhe as që mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi që nuk është në kompetenca të prokurorit disiplinor marrja e licencave për avokatët”.
Procesi gjyqësor për vrasjen e të riut Agonis Tetaj ka mbetur e bllokuar që pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar. Në aktakuzë tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj, pas kësaj ishte larguar në drejtim të rafteve diku 5 metra, ndërsa pranë tij qëndronin edhe dy persona tjerë A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën telefonike, Shaban Gogaj nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e qëllon në kokë Agonis Tetaj në kokë.