Ankesa për anshmërinë e Trupit Gjykues në rastin Thaçi dhe të tjerët, pati sërish të mërkurën nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Ai tha se qëndrimet e gjyqtarëve janë të ngjashme me ato të prokurorisë. Këto kundërshti u dhanë gjatë dëshmisë së Sokol Bashotës
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon është ankuar për pyetjet që anëtarë të Trupit Gjykues ja kanë parashtruar Sokol Bashotës, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, në rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen, përpos Veselit edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Të martën që shkoi, nëpërmjet një shkrese, ekipet mbrojtëse thanë se të akuzuarit kanë humbur besimin në paanshmërinë e gjyqtarëve.
Ankesa e avokatit Dixon erdhi gjatë kohës kur pyetje po bënte gjyqtari Gennuel Metraux. Dixon kundërshtoi pyetjet sepse sipas tij ato janë sugjestive dhe orientuese.
“Sipas nesh, ju po përpiqeni të dilni me përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur përgjegjësi kolektive, të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në Shtabin e Përgjithshëm. Kjo është e ngjashme me qëndrimin që po mbanë prokuroria kur flet për ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, ka thënë Dixon.
Kundërshtimin e Dixonit e rrëzoi kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
E ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sokol Bashota, në ditën e katërt të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara, sërish u ballafaqua me deklaratat e dhëna në vitin 2006, në rastin ku po gjykohej Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi.
Një pjesë e dëshmisë iu lexua nga prokurori Matt Halling, të cilën Bashota në vitin 2022 pati thënë se iu është referuar një situate hipotetike.
“Po ju lexoj disa pjesë nga paragrafët përkatës të deklaratës suaj, ju keni thënë: Kur dikush identifikohej si bashkëpunëtor me serbët në zonën operative merreshin masa ndëshkimore brenda zonës. Në rastet kur kapeshin në flagrancë, pra në kohën që po kryenin veprimtarinë, personi do të vritej, Shtabi i Përgjithshëm njoftohej lidhur me masat konkrete ndëshkimore që merreshin ndaj personit. Kjo që keni thënë këtu ju, ka qenë një situatë hipotetike?”, pyeti prokurori Halling.
Bashota pohoi se bëhet fjalë për një pyetje hipotetike.
Halling pastaj pyeti dëshmitarin se a po thoni kështu për shkak se Thaçi donte që ju të përgjigjeshit në këtë mënyrë.
E se këtu bëhej fjalë për pyetje hipotetike e tha edhe Lluka Mishetiq, avokat i Thaçit. Ai lexoi një pjesë tjetër të së njëjtës dëshmi të vitit 2006, ku sipas tij nënkuptohet që bëhej fjalë për situata hipotetike.
“Përgjigjja që keni dhënë është kjo: le të kemi parasysh që asnjë bashkëpunëtor, për sa i përket mundësisë për të komunikuar, asnjë bashkëpunëtorë nuk është vrarë për faktin që ai ka qenë bashkëpunëtorë”, theksoi Mishetiq.
E Dixon e pyeti Bashotën se a po dëshmon në favorin e dikujt.
“Në thelb ajo çfarë tha zotëri Halling është që si dëshmitar i prokurorisë që jeni, ju jeni dëshmitar i anshëm, pra dëshmitar i pa besueshëm dhe në mënyrë që të jem i drejt me ju unë dua të iu jap mundësinë që t’i përgjigjeni këtij supozimi ose pretendimi që u bë lidhur me ju. A keni ardhur në Gjykatë për të qenë dëshmitar i anshëm dhe për të dhënë dëshmi në favor të ndonjë prej të akuzuarve pavarësisht të vërtetës?”, pyeti avokati i Veselit.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mija edhe juridike edhe penale që kam këtu dhe absolut nuk kam ardhur këtu për të mbrojtur as një kauzë përpos të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, konform betimit që kam dhënë”, u përgjigj dëshmitari.
Bashota dëshminë do ta vazhdoj edhe të enjten.