Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se vendimet para dhe gjatë procesit të shpronësimit të pronave në veri nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë pasur qartësinë e duhur sa i përket qëllimit legjitim për të cilin është bërë shpronësimi.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo ka bërë që të mos përmbushet në mënyrë të plotë kushti ligjor për ta bërë të ditur qëllimin e ligjshëm publik.
Por Avokati i Popullit ka vënë në dukje “obligimin pozitiv të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në drejtim të qartësimit të qëllimit legjitim dhe interesit publik, në mënyrë që ndërhyrja në pronat e pronarëve, për qëllimet e shpronësimit të jenë të qarta, të dukshme dhe të lejueshme”.
“Përveç argumentit të theksuar më sipër, Avokati i Popullit ka vërejtur se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kanë zhvilluar veprimet e tjera procedurale lidhur me çështjen e shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, duke nxjerrë vendime për shpalljen e atyre zonave me interes të veçantë, miratimin e vendimeve të tjera përcjellëse, mbajtjen e dëgjimeve publike dhe nxjerrjen e vendimit preliminar dhe përfundimtar, veprime këto të bazuara në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni në Facebook.
Meqë për këtë çështje ka procedurë gjyqësore, Avokati i Popullit ka thënë se nuk është lëshuar në vlerësim meritor, por “i paraqet vetëm pikëpamjet e tij në vështrim të mbrojtjes së të drejtës së pronës, si e drejtë e njeriut e garantuar me Kushtetutën e Republikën e Kosovës”.
Opinioni i Avokatit të Popullit ka ardhur pas ankesave të qytetarëve të Leposaviqit dhe Zubin-Potokut, të cilët janë ankuar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces.
Shtetet e QUINT-it, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja patën kritikuar Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri.
Më 30 maj, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim përfundimtar për shpronësimin e këtyre parcelave në Leposaviq e Zubin-Potok. Patën thënë se shpronësimi në interes publik i disa pronave në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, me qëllim të realizimit të disa projekteve infrastrukturore, është në pajtueshmëri me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës. Procesin e shpronësimit në Leposaviq e Zubin-Potok, Qeveria e pati nisur në mes të janarit të 2023-s, kur disa toka në këto komuna i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik - të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin-Potok. Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë apo tetë hektarë më pak.
Gjykata Themelore në Prishtinë e pati refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe kanë kërkuar që të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”.