Arbëri

Avokati i Popullit kërkon qasje më serioze në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Hallka përgjegjëse për parandalimin e rasteve të dhunës në familje shpesh edhe ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë, thotë Avokati i Popullit. Sipas drejtuesit të këtij institucioni, Naim Qelaj, dështimet e shtetit në mbrojtje të grave shpesh po përfundojnë me fatalitet, gjë kjo që duhet të shërbejë si alarm për institucionet

Qasje më serioze përkitazi me trajtimin e rasteve të dhunës së familje ka kërkuar Avokati i Popullit.

Drejtuesi i këtij institucioni, Naim Qelaj, thotë se shpesh hallka përgjegjëse për parandalimin e rasteve të dhunës në familje po dështon, shkaku se rekomandimet që po jepen, nuk po merren parasysh.

“Mund të themi që është jo mirë edhe për Avokatin e Popullit, kur përsërit raporte të ngjashme për situata të njëjta, thuajse ku shteti dështon ta sigurojë jetën e një gruaje. Kjo tregon që rekomandimet tona nuk janë zbatuar në plotni, pra nuk janë përfillur dhe nuk janë marrë parasysh në masën dhe vlerësimin që duhet me u marrë. Në anën tjetër, autoritetet vazhdojnë të dështojnë dhe mbase janë dështime të njëjta në shumicën e rasteve, ku ne kemi dalur me raport dhe rekomandime. Kjo shton nevojën që ne t’i trajtojmë edhe më seriozisht monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve nga ana jonë”, ka thënë Qelaj.

Sipas Qelajt, se trajtimi i rasteve të dhunës në familje duhet të jetë prioritet i çdo institucioni të shtetit, për shkak të rritjes së vazhdueshme të e rasteve me fatalitet.

Krahas rritjes së rasteve të dhunës në familje, janë rritur edhe kërkesat për ekzaminim mjekësor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

“Vetëm në vitin 2019 për dhunë në familje i kemi pasur 130 kërkesa, në vitin 2020 ato kanë arritur në 190, e në 2021 kanë arritur në 250, nuk i kemi numrin për 2022, por shihet se për çdo vit 30 ose 40% rritet numri i rasteve prej çdo fushe por në veçanti prej rasteve që kanë të bëjnë me dhunë në familje”, ka thënë drejtori i IPFK-së, Shpend Haxhibeqiri.

Por, sipas avokatit të Popullit, zgjidhje e shpejtë duhet të gjendet në riintegrimin dhe fuqizimin ekonomik të viktimave të dhunës në familje.

“Mungesa e strehimit, mungesa e mbështetjes financiare dhe aspektet tjera që lidhen me pavarësinë ekonomike ka raste kur viktimën e detyrojnë të kthehet prapë në vendin ku ka dhunë, dhe kjo pastaj sjell edhe te përsëritja e dhunës, te ashpërsimi i formave të ushtrimit të kësaj dhune, e deri te rastet me fatalitet, që fatkeqësisht po ndodhin për çdo vit”, ka thënë tutje Qelaj.

Neglizhenca në hallkën zinxhirore në sistemin e drejtësisë, ka bërë që 5 ditë pasi që paraqiti rastin në Polici, Lirije Qerimaj nga Llausha e Skenderajt të vritej nga bashkëshorti i saj në janar të këtij viti.

Njëjtë ka ndodhur edhe në marsin e vitit të kaluar, me rastin e vrasjes së Sebahate Morinës.