Leotrim Syla, avokati i familjes së Liridona Ademajt, që u vra në nëntor të vitit 2023, ka thënë se tre të akuzuarit për të cilët nisi sot gjykimi, duhet të dënohen barabartë me dënim maksimal.
Të akuzuar në këtë rast janë bashkëshorti i Liridona Ademajt, Naim Murseli, që ngarkohet si porositës i vrasjes. I akuzuar është edhe Granit Plava si autor, ndërsa Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka gjetur dorasin. Ndërkohë Tom Dodaj u dënua të premten me pesë vjet burgim pasi pranoi se ia ka shitur Murselit armën me të cilën u krye vepra penale. Ai ka vlerësuar se pa ndonjërin prej tre të akuzuarve zinxhiri s’do të funksiononte dhe nuk do të kryhej vepra penale.
“Duke qenë se dashja në kryerjen e saj, bashkëkryerja, kontributi i secilit në kryerjen e saj do të mund të ndalonte kryerjen, pra mungesa njërit prej tyre në zinxhir, konsideroj që dallimi i tyre në dënim do të ishte padrejtësi në kuptimit të ligjit, dhe sundimit të rendit. Konsideroj se secili dënim duhet të jetë i barabartë për secilin prej tyre. E them këtë për veprën penale të vrasjes së rëndë”, ka thënë avokati në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Avokati Syla ka thënë se me dënimin e shpejtë të Dodajt, gjykata ka treguar se s’do të lejojë zvarritje. Ai ka thënë se aktakuza është e kompletuar dhe si e tillë do t’i dënojë të akuzuarit.
“Edhe sot pa marrë parasysh pranimin apo mospranimin e fajësisë konsideroj se në fund do të kemi epilog me aktgjykim dënues për të tre të mbeturit”, ka thënë ai.
VIDEO: Naim Murseli: Ndihem plotësisht i pafajshëm
Avokati Syla ka thënë po ashtu se të akuzuarit kanë ndryshuar deklaratat gjatë procesit, por se jo që të ndryshojë thelbi i implikimit të tyre. Ai ka thënë se aktakuza sqaron mirë planin e vrasjes, por edhe elemente të tjera.
Ai ka thënë se të akuzuarit kanë planifikuar fillimisht kryerjen e vrasjes në metodë tjetër, përfshirë aksidentin e inskenuar të trafikut e më pas kanë përfunduar te plani tjetër.
“Nga shkresat e lëndës shihet se është planifikuar më shumë se një vit e gjysmë më herët. Është planifikuar kohë më parë me pretendent që të kryhet nga tjetër kush, në rastin konkret Kushtrim Kokalla. Por vetëm, pasi ai s’ka pranuar ta kryejë këtë vepër, çdo herë sipas deklaratës së tij, ka gjetur Granit Plavën si një doras potencial dhe që në fund rezultoi të jetë sipas tyre i suksesshëm në kryerjen e veprës penale. S’mund të themi që s’kanë bërë plan të mirë në kuptimin për të ndërtuar alibi. Naim Murseli gjatë dhënies së deklaratës ka tentuar të paraqesë një alibi kinse s’ka pasur të jetë fare në Kosovë, por që të jetë në Tiranë e të qenurit e tij në Kosovë ka qenë vetëm koincidencë për shkak të problemeve që kanë ndodhur një natë më herët. Edhe jashtë procesit, edhe jashtë provave, kemi pasur prova të mjaftueshme nga dëshmitarë që Naim Murseli ka caktuar takime fiktive në të cilat s’është paraqitur asnjëherë vetëm me qëllim që të ndërtojë alibi më vonë se kinse ajo që ka ndodhur ka qenë tragjedi e paplanifikuar, e paditur nga ai, dhe të arsyetohet para shoqërisë së tij që ajo që i ka ndodhur ka qenë me të vërtetë diçka e rëndë”, ka thënë avokati.
Syla ka lavdëruar punën e hetuesve policorë. Sipas tij, ka qenë përvoja e çmuar e tyre që “të mos u shitet lehtë një vrasje për grabitje”, siç ishte raportuar fillimisht rasti.