Aktakuza e re e ngritur ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër personave të tjerë, është vlerësuar nga avokatë, si e thatë, pa prova dhe e paqartë. Ata kanë dhënë versione të ndryshme për ndikimin që, në rast të konfirmimit të aktakuzës për pengim të drejtësisë, procesi i ri gjyqësor do të ketë në procesin kryesor, ku Thaçi dhe të tjerët akuzohen për krime lufte
Aktakuza e re e Zyrës së Prokurorit së Specializuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi e edhe ndaj Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është vlerësuar e thatë nga avokatë të akredituar në Gjykatën me seli në Hagë.
Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj Gjykatës.
Sipas avokatit Artan Çerkini, përmbajtja është e qartë dhe nuk i prezanton provat.
“Pra fillimisht duhet të shikohet se ato përgjime për të cilat flitet në aktakuzë a janë marrë në mënyrë të ligjshme apo jo. Pastaj vihet re po ashtu se aktakuza nuk është shumë e qartë. Provat vetëm janë përmendur, por nuk janë treguar. Kështu që nuk dihet vlera provuese tyre. E, po ashtu, aktakuza është e redaktuar në disa pjesë që e bën edhe më të paqartë”, ka thënë Çerkini.
Sipas aktakuzës, gjatë kohës sa është vizituar në paraburgim, Thaçi u ka dhënë mysafirëve informacion konfidencial për dëshmitarët e ZPS-së Kilajt, Smakajt, Fazliut dhe Kuçit, nga prilli i vjetëm e deri në nëntorin e sivjetmë.
Dokumenti i Speciales thotë se, të katërve Thaçi u kishte dhënë udhëzime dhe hollësi se si të ndikojnë tek dëshmitarët, dhe se ata ishin pajtuar me instruksionet.
Avokatët kanë mendime të ndryshme nëse në rast të konfirmimit, aktakuza e re do të zvarrisë procesin kryesor gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve, që akuzohen për krime lufte.
Avokati Amer Alija e mohon mundësinë e një ndikimi të tillë.
“Nuk do të zvarritet procesi gjyqësor ndaj Thaçit, i cili është i parashikuar dhe kohëzgjatja e tij gati është e llogaritur nga trupi gjykues se sa do të vazhdojë. Janë disa afate ku duhet të kryhen me dëgjimin e dëshmitarëve të vet, ku deri në prill të vitit të ardhshëm duhet të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Dhe sigurisht që paralelisht me këtë procedurë, kohë pas kohe do të mbahen edhe seanca për këtë aktakuzë të re, sigurisht që në rast se konfirmohet”, ka thënë Alija.
Të kundërtën e ka theksuar avokati Çerkini.
“Patjetër se mund të ndikojë në zvarritje, sepse në rastin e parë penal ai nuk mund të mbahet pa prezencën e zotit Thaçi. Kështu që zoti Thaçi do të jetë tashmë i shpërqendruar, pra do të jetë i ballafaquar me dy procese gjyqësore dhe kjo do të ndikojë edhe në cilësinë e mbrojtjes së tij e po ashtu edhe në zvarritjen e procedurës”, ka thënë ai.
Sipas aktakuzës së re, kanë funksionuar tri grupe të Thaçit: Grupi “Smakaj” i përbërë nga ish-këshilltarët Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Blerim Shala; Grupi “Kilaj” i përbërë prej Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut; si dhe Grupi “Fazliu”, i përbërë nga Fadil e Fahri Fazliu.
Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan të enjten, ndërsa të premten u dërguan në Hagë. Ndërkaq, Kuçit i është shqiptuar masa për “detyrim paraqitje”.