Haxhi Avdyli, deputet i zgjedhur i Listës Guxo në grupin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se partia e tij ka marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, edhe pse jo në formë të shkruar, për bashkëqeverisje. Ai ka thënë madje se bisedimet janë shumë pozitive dhe se tashmë VV-ja i ka 61 vota në Kuvend, e se po synon për më shumë.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt... Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. Gjatë diskutimit me Teutë Rrustën e PSD-së, Avdyli ka thënë se “një marrëveshje ekziston dhe kjo është në të mirë të demokracisë kur ka marrëveshje”.
“Sepse kur një parti e ka shumicën dhe nuk mund të bëjë marrëveshje atëherë do të ishte shqetësuese sepse nëse bën... edhe ftesën për LDK-në e kam përshëndetë dhe më ka ardhur shumë keq që ish-partia ime ka bë kaq hapa mbrapa nga një parti shtetformuese e hapur për partitë e PAN-it në të kaluarën janë kaq të ngurtë. E kuptoj se po kalkulojnë, por Kosova nuk ua fal këtë bllokadë që po ua shkakton. Kam pa parti bllokuese, por LDK-na bllokuese hyn në analet historike”, ka thënë tutje ai.
“Albini, argat i Serbisë, është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet një politikani të Kosovës. Mendoj se asnjë nga opozita s’janë argatë të Serbisë e as Rusisë. Kam pritur se do të ulet e të thonë se nuk pajtohemi këtu-këtu... S’është parti e Vuçiqit, por kryeministri i Kosovës”, ka shtuar ai.
I pyetur për numrat, sipas Avdylit, është pikërisht kjo çështje pse “opozita po e bllokon konstituimin”.
“Ata e dinë që ne i kemi numrat. Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61”, ka thënë ai.
Avdyli ka folur edhe për kërkesat e Nismës për arritje të koalicionit, ku përmendi se është kërkuar edhe ulja e pragut zgjedhor.
“Nisma më shumë është duke kërkuar ato të cilat janë disa nga parimet. Një prej tyre është edhe ulja e pragut zgjedhor, të cilin e ka kërkuar nga ne dhe të gjitha partitë. Është një prej kërkesave, ulja e pragut zgjedhor, që ne i kemi diskutuar, ne si Guxo. Ndoshta edhe nuk është ide e keqe. Ende s'është marrë ky vendim, por unë sa e kam dëgjuar, është një nga kërkesat. Janë edhe disa kërkesa të tjera”, ka deklaruar ai.
Avdyli: Nëse VV-ja s'e bën qeverinë, as opozita s'e bën dhe shkojmë në zgjedhje
Deputeti Haxhi Avdyli ka deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e formon Qeverinë, as partitë e tjera s’e kanë shumicën, derisa shtoi se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai ka shtuar se Vetëvendosje ka shumicën për krijim të institucioneve, por shtoi se ekziston edhe skenari i shkuarjes në zgjedhje.
“Nëse nuk e kemi shumicën ne do të shkojmë në zgjedhje. Ligji e parasheh që kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë. Ne do të zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Nëse ne s’i kemi numrat, absolutisht as opozita s’i ka numrat dhe ne shkojmë në zgjedhje. Kjo është çfarë do të ndodhë”, ka thënë Avdyli.
Analisti politik, Melazim Koci, ka shtuar se nëse Vetëvendosje e ka shumicën, s’do të jetë problem krijimi i institucioneve.
Përplasje mes Rrustës e Avdylit për atë se çka është pazari në politikë
Deputeti Haxhi Avdyli dhe zyrtarja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, janë përplasur të enjten mbi “pazaret e partive politike”.
Rrusta ka deklaruar se ka rënë miti që Lëvizja Vetëvendosje bën “pazare”, derisa shtoi se dikur ka ekzistuar ky mit.
“Ra miti që Lëvizja Vetëvendsoje nuk bën pazare. Kjo nënkupton se me një parti si Nisma, e një lider si Fatmir Limaj, që sipas VV-së ka qenë kryefjala e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, këta janë në gjendje të bëjnë pazare. Miti i VV-së ka ekzistuar që nuk bën pazare. Ra ky mit. Faleminderit këtij procesi që ra ky mit”, ka thënë Rrusta, ish-anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Avdyli ka shtuar se pazaret janë “për tenderë e për keqpërdorime”, por jo kur dy parti bëjnë marrëveshje politike.
Koci: Takimin e parë e dështoi opozita, sot VV-ja nuk e deshi konstituimin
Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, ka thënë se takimin e parë në seancën solemne për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka dështuar opozita, por në seancën e mbajtur të enjten ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që nuk e deshi konstituimin.
I ftuar në “Konfront” të KTV-së të enjten, Koci ka deklaruar se dështimi i seancës së parë nga opozita ishte autogol politik për këto parti.
Ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje, tha se i kanë numrat për ta kaluar miratimin e kalimit të verifikimit të mandateve.
“Takimin e parë e dështoi opozita. Dhe ishte gabim i tyre, ishte autogol politik sepse janë çështjet teknike procedurale, nuk prekin aspekte as politike e as juridike. Kërkesa për dorëheqje është e drejtë, por kjo qeveri është në detyrë nga 23 marsi dhe e dyta praktikisht i ofroi rastin, bëri zvarritje kundërproduktive nga aspekti i pozicionit opozitar. Sot mendoj se Vetëvendosja nuk deshi miratimin e kalimit të verifikimit të mandateve sepse sot në Kuvend ishin vetëm 100 deputetë, duhej vetëm 51 deputetë të votonin dhe me aq kalonte, brenda ishin 48 deputetë të VV-së supozoj, z.Rashiq, zxnj. Emilija Krasniqi, këto bëjnë 51 vota në minimum. Këto supozoj se janë vota që Vetëvendosja në minimum i disponon”, ka thënë ai.
Sipas Kocit, do të ketë edhe një bllokadë tjetër të menjëhershme, pas konstituimit të Kuvendit.
“Përse nuk e miratoi raportin e Komisionit verifikues të mandateve nuk e kam të qartë, por më duhet të them se kjo është vetëm faza e parë dhe besoj që procesi rreth verifikimit të mandateve megjithatë kaloi. Do ta kuptojë edhe opozita, por edhe Vetëvendosja që është thjeshtë çështje teknike. Por unë mendoj se do të ballafaqohemi menjëherë me një bllokadë tjetër, sapo të kalojë ky votim. Bllokada ka të bëjë me propozimin e emrit të kryetarit të Parlamentit”, është shprehur ai.
Avdyli: Moskonstituimi i Kuvendit, pasojë e opozitës së papërgjegjshme
Deputeti Haxhi Avdyli ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar si pasojë e “papërgjegjësisë së partive opozitare”.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se veprimet opozita e legjislacionit të kaluar ka një “entuziazëm të tepruar për opozitarizëm”.
“Ata bënë gabime në hapa. Shteti nuk bllokohet në atë mënyrë, duke bërë kërkesa absurde, që Kosova të mos ketë fare kryeministër”, ka shtuar Avdyli.
Ai ka potencuar se qytetarët s’duhet t’ua falin atyre që bllokojnë institucionet.
“Opozita po bën gabime na hapa. Po bllokojnë shtetin, e qytetarët s’duhet t’ua falin. Nëse këta mendojnë se mund ta bllokojnë shtetin, e kanë gabim, sepse ky shtet ka zot shtëpie. E në këtë rast zot shtëpie është Albin Kurti e do të vazhdojë qeveria e tij”, ka thënë ai.