Arbëri

Hoti thotë se për shkak të angazhimeve nuk mori pjesë në mbledhjen e LDK-së

Avdullah Hoti mungon në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të LDK-së

Mbledhja e grupit parlamentar të LDK-së e mbajtur më 10 prill 2025, FOTO: Lumir Abdixhiku /FB

(E përditësuar 15:00) - Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për shkak të angazhimeve nuk ka mundur të jetë pjesë e mbledhjes së grupit parlamentar të partisë të enjten.

“Për shkak të angazhimeve akademike në Fakultet s’kam mundur të marrë pjesë. E kam njoftuar partinë”, ka thënë Hoti për KOHËN.

Edhe zëdhënësi i LDK-së, Besin Mustafa, më herët në prononcim për KOHËN ka thënë se Hoti mungoi për shkak të obligimeve të paracaktuara.

Grupi parlamentar i LDK-së u mblodh sot në zyret e partisë. Në fotot e shpërndara nga kryetari Lumir Abdixhiku shiheshin 19 deputetë. Mungonte vetëm Hoti.


Avdullah Hoti mungon në mbledhjen e grupit të ri parlamentar të LDK-së

Në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila u mbajt të enjten, mungoi njëri nga figurat kryesore të partisë – Avdullah Hoti. Nga LDK-ja kanë thënë se ish-kryeministri e ka lajmëruar mungesën më herët për shkak të një obligimi.

Takimin e ka bërë publik kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë fotografi nga mbledhja. Në foto shihen 19 deputetët e LDK-së që fituan mandatin në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo Hoti.

“Nga takimi i parë i Grupit të ri Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes deputetëve të rinj e atyre me plot përvojë, mes zërit të 171 mijë votuesve tanë, në rrugëtimin e palëkundur për Lidhjen tonë, për Republikën tonë, për qytetarët tanë! Një zë, një shtëpi, një qëllim!”, ka shkruar Abdixhiku krahas fotove.

I kontaktuar nga KOHA, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se Hoti ka njoftuar me kohë mungesën për shkak të një obligimi të paracaktuar.

“z. Hoti ka paralajmëruar me kohe që ka një obligim të paracaktuar kohë më parë”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, Hoti ka qenë kritik ndaj drejtimit aktual të LDK-së, duke ngritur shqetësime për, siç ka thënë ai, “manipulimet me votat me postë”. Madje, ai ka kërkuar edhe një lidership të ri në parti, duke thelluar më tej dallimet me Abdixhikun.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK-ja doli si partia e tretë më e votuar, duke siguruar 20 ulëse në Kuvend.

Hoti ishte prej më të votuarve në parti.

KOHA ka kontaktuar edhe me Hotin. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.