Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se deri më tani asnjë ngarkesë e ujit të ambalazhuar nga Kosovës, nuk është refuzuar nga ndonjë shtet.
AUV-i ka njoftuar se si autoritet nuk kanë pranuar asnjë informatë zyrtare nga Autoriteti i Maqedonisë se Veriut, për dyshime rreth sigurisë së ndonjë ngarkese me produkt ujë për pije.
Të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi që në analizat laboratorike të kryera në një mostër uji është zbuluar prania e bakterit koliform.
Mediat maqedonase kanë raportuar se mostra e ujit në të cilin është gjetur bakteri është e kompanisë “Rugova”. Në këtë kompani nëpërmjet një komunikate kanë thënë se produktet e tyre certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe se produktet i kanë kaluar me sukses edhe analizat në Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV).
Por sipas AUV-it, bazuar në analizat labarotorike të kryera në Institutin Kombëtar te Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), 27 ngarkesat e kësaj kompanie të eksportuara nga Kosova këtë muaj, nuk kanë treguar prani të këtij bakteri.
“Në muajin e fundit janë eksportuar gjithsejte 27 ngarkesa, të cilat janë certifikuar në bazë të rezultatit të analizave laboratorike, të cilat janë kryer në Institutin Kombëtar te Shëndetit Publik të Kosovës. Në këto rezultate të analizave është i përfshirë edhe parametri lidhur me ‘prezencën e bakterit koliform’. Ku në secilin rezultat është konfirmuar se nuk është gjetur ky bakter në produktin uji i ambalazhuar i kompanisë ‘Rugove’. Raportet e Analizave i posedon AUV-i, rezultatet janë negative (pa prezencë të baktereve)”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it Lamir Thaqi.
Sipas AUV-it, nga numri i përgjithshëm i ngarkesave të eksportuar gjatë këtij muaji nga Kompania “Rugova”, 12 prej tyre janë eksportuar ne Republikën e Maqedonisë se Veriut. Thaqi ka thënë se eksporti drejtë këtij shteti është duke vazhduar edhe sot.
Ngarkesat e tjera thuhet se janë eksportuar në vendet e tjera si: Shqipëri dhe Francë.
“Secili shtet ka të drejtë të rrisë frekuencën e mostrave për ndonjë produkt të caktuar për një afat të arsyeshëm kohor. Shtimi i masave të kontrollit nga ndonjë shtet, për një produkte të caktuar, nënkupton rritje të sigurisë për konsumatorët e të gjitha vendeve që e konsumojnë atë produkt. Nga të gjeturat pas gjurmimit të plotë, fakteve të mbledhura dhe paraqitura me lartë, nuk ka vend për shqetësim. Uji i ambalazhuar ‘Rugove’ i plotëson kriteret ligjore dhe është i sigurt për konsum”, ka theksuar Thaqi.