Arbëri

AUV: Kujdes me dhuratat e Vitit të Ri, kontrolloni afatet e skadimit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për kujdes me produktet në formë të dhuratave për festat e fundvitit, duke u kërkuar konsumatorëve t’i kontrollojnë afatet e skadimit.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i ka thënë KOHËS se në paketimin e madh të këtij produkti nuk mund të shihet afati i skadimit, por vetëm pasi të hapet dhe produktet brenda të kontrollohen të gjitha.

“Apelin për kujdes në produktet dhurata për vit të ri e kemi bërë me qëllim që të shtohet vigjilenca për produktet të cilat gjenden brenda dhuratave e cilat nuk mund të kontrollohen nga inspektorët e AUV-it. Përderisa ato janë brenda paketimit të madh, nuk mund t’i shohim datat e prodhimit dhe skadimit. Andaj, në frymën e kësaj, kërkojmë bashkëpunimin e konsumatorëve që me rastin e hapjes së dhuratave, t’i shikojnë data e produkteve të cilat gjenden brenda. Ato mund të shihen vetëm pas hapjes së paketimit të madh të jashtëm”, ka thënë Thaçi.

AUV-i ka kërkuar që nëse haset në produkte me afat të skaduar, të raportohet pranë autoriteteve dhe ato të kthehen në pikat blerëse “me dëshmi të kuponit fiskal”.

“Ne kemi shtuar frekuencën e kontrolleve me rastin e festave. Dhuratat janë produkte për të cilat kërkohet vigjilencë edhe e vet konsumatorit. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që të festojmë shëndetshëm dhe sigurt”, thuhet tutje.

Ditëve të fundit është raportuar që janë gjetur produkte në formë të dhuratave për Vitin e Ri, me afate të skaduara.