Arbëri

AUV pas shqetësimeve për mishin e importuar nga Brazili: Siguria ushqimore nën kontroll

Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me mishin e importuar nga Brazili, sidomos pas një rasti të evidentuar me salmonellë në Shqipëri, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka sqaruar situatën dhe ka garantuar sigurinë ushqimore në vend.

Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, ka deklaruar se Kosova është ndër vendet që importon më së paku mish nga Brazili, duke theksuar se ndonëse ky vend është eksportuesi më i madh global i mishit, sasia që vjen në Kosovë është minimale.

“Brazili është gjiganti kryesor botëror në eksportin e mishit të të gjitha llojeve. Megjithatë, Kosova është një prej vendeve që merr më së paku sasi mishi nga atje. Perceptimi negativ ndaj mishit brazilian është krijuar për shkak të incidenteve të rralla, por realiteti dhe të dhënat zyrtare flasin ndryshe”, ka theksuar Thaçi në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai shtoi se çdo produkt që lëshohet në treg kalon nëpër kontrolle rigoroze në kufi, duke dëshmuar për profesionalizëm dhe përkushtim ndaj sigurisë ushqimore.

“Fusha e ushqimit është e ndjeshme dhe incidente të tilla mund të ndodhin herë pas here, por në Kosovë nuk kemi pasur shumë raste të tilla”, përfundoi Thaçi.

Sipas AUV-së, prodhimi vendor i mishit të shpezëve në Kosovë është shumë i vogël, çka bën që një pjesë e madhe të sigurohet përmes importit. Megjithatë, sektori i vezëve mbetet ndër më të zhvilluarit dhe i mbulon kërkesat e tregut vendas.