Arbëri

AUV-i ndalon importimin e deleve dhe dhive nga Rumania e Greqia

Dele

Foto-Ilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka marr vendim që të ndalojë importimin e deleve dhe dhive nga Rumania dhe Greqia. 

Këtë vendim AUV-i e ka marrë duke u bazuar në situatën epidemiologjike të raportuar nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe ADIS (Sistemi i lajmërimit të sëmundjeve të kafshëve në BE), për shpërthimin e sëmundjes “mortaja e ruminantëve të vegjël (Dele, Dhi)”. 

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot (e mërkurë), ka nxjerrë vendim për ndalimin e importit për kafshë të gjalla të llojit dele, dhi nga shtetet e prekura me sëmundje, Rumani dhe Greqi. Nga zonat e caktuara të këtyre shteteve si regjione të prekura me ketë sëmundje ndalohet importi edhe i kafshëve të llojit gjedhë. Kjo për të penguar ose moslejuar përhapjen e kësaj sëmundje. Kurse nga zonat e lira kafshët e llojit gjedhë lejohet importi në territorin e Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e AUV-it. 

Masat parandaluese për të penguar përhapjen e sëmundjes thuhet se janë të vendosura nga autoritete kompetente të këtyre dy shteteve. “Ata nuk lëshojnë dokumente apo certifikata mbi gjendjen shëndetësore për kafshët e fermave nga zonat e prekura. Ne si autoritet vendimin e kemi nxjerrë duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare të tregtimit të kafshëve të gjalla mes vendeve. Kjo si masë shtesë për të forcuar kontrollin në pikat kufitare për parandalimin e hyrjes se kafshëve të infektuara. Gjithmonë duke respektuar rregullat nacionale të legjislacionit në fuqi. Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive udhëzohen të ngrenë masat e biosigurisë në ferma. Për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të raportojnë tek veterinari”, thuhet në njoftim. 

Tutje thuhet se konsumatorët nuk kanë nevojë të shqetësohen dhe se “sëmundja është e karakterit ekonomik, sëmundja nuk përhapet te njerëzit”.