Arbëri

Autostradat shkurtuan rrugët drejt Maqedonisë e Shqipërisë, por disa biznese qytezash ua panë sherrin

Rruga për Shkup u është zgjatur kaçanikasve. Shoferët u japin makinave nja dhjetë kilometra shtesë nëse nuk e rrahin rrugën e vjetër. Të dy rrugët zgjaten përgjatë luginës së Lumit Lepenc dhe faqeve të Bjeshkëve të Sharrit e të Karadakut. Qytetarët e këtyre anëve kanë lidhje të shumta farefisnore me shqiptarët matanë kufirit me Maqedoninë Veriore. Edhe ata që dikur ndaleshin për ndonjë pije freskuese dhe i hidhnin një sy qytezës buzë grykës, tani kalojnë fluturimthi ndanë saj. Traseja e autostradës shtrihet përgjatë kodrave në anën perëndimore, shkruan “Koha Ditore”.

Ka disa qyteza që janë prekur ekonomikisht prej ndërtimit të autostradave. Megjithëse nuk ka ndonjë studim të veçantë për efektet pozitive ose negative të autostradave në bizneset lokale, pakkush kalon sot nëpër Lipjan, Shtime e Suharekë kur shkon nga kryeqyteti në Prizren a Shqipëri. Të njëjtin fat e ka edhe Kaçaniku. Deri diku edhe Hani i Elezit, në dalje të të cilit këputet “Arbën Xhaferi” para se të lidhet me rrugën e vjetër para pikës kufitare me fqinjin jugor. Përgjatë këtyre rrugëve kishte disa pika që ishin kthyer thuajse në domosdoshmëri për t’u freskuar, si në grykën e Carralevës a në Qafën e Duhlës. Vetëm një burrë i thinjur po qëndronte anash tezgës së drunjtë me gajbe rrushi në një ditë me diell messhtatori. Dy duart, lidhur prapa kohës. Disa kilometra larg tij, Xhaviti tregon se më vonë po del te kamioneta-tezgë te kroni në Luzhnicë të Suharekës. Të rralla janë makinat që ndalen. “Nuk i kam pas në friz, por nata e freskët këtu e janë të ftohta”, thotë Xhaviti, teksa zgjatet të nxjerrë tri pije brenda kamionetës. Nuk e tregon mbiemrin.

Ankesa të ngjashme kanë edhe dyqanxhinjtë në Carralevë.

“...as me Shkup, as me Prishtinë”

Pasojat e autostradës i ndiejnë më fort shoferët kaçanikas nëse zgjedhin autostradën që gjarpëron kodrave e luginës deri në kufi. Kaçaniku kyçet në autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Stagovë, nja pesë kilometra në drejtim të Ferizajt. Kjo ka shtyrë shumë banorë të rrethinës ta përdorin rrugën e vjetër magjistrale, e cila rrok vëmendjen në nivel vendi vetëm kur ka rrëshqitje dheu a gurësh nga kodrat e Karadakut. “Neve Kaçanikun na ka nda prej Kosove”, thekson një burrë në fund të pesëdhjetave në çajtoren e tij në fillim të çarshisë së vjetër me kalldrëm. Në çajtoren, ku shërbehen edhe birra të Shkupit e të Pejës, mund të luani edhe biliard.

“Dikur jemi mbajtë me Shkup, e tash kemi mbet as me Shkup, as me Prishtinë”.

Dy flamujt – njëri amerikan e tjetri kuqezi - zënë ballin e murit të zverdhur nga tymi i duhanit. Janë varur sipër pjesës së poshtme me “llamperi”. Kaçaniku është një prej komunave që ka ngecur më së shumti ekonomikisht në liri. Një burrë tjetër në qytet përmbledh gjendjen e përgjithshme me titullin më të njohur të këngës që ngërthen emrin e qytetit. Asi trimërie. E modifikon paksa.

“Kaçanikut përnime i ka ra pika”, thotë burri qimerrallë. “Por jemi qytet agallarësh dhe i marrim gjërat shtruar”.

Dy burra ofrohen vullnetarisht të flasin. Menjëherë i bien pishman. “Jo, jo se jemi t’u prit me marr leje për mbindërtim”, thotë njëri prej tyre. Mjekroshi duket në të dyzetat. Ndërtesa e tyre gjashtëkatëshe është në hyrje të qendrës së qytetit.

Pranë lumit, regjisori kaçanikas, Ben Apolloni, thotë se qyteza me rrethinë ka ngecur për shkak se vazhdimisht është qeverisur keq nga pushtetarët lokalë. Mungon edhe ndihma e Qeverisë qendrore. “Disa qytetarë vazhdimisht po e quajnë një varrezë masive, sepse njerëzit vazhdimisht rrinë nëpër kafiteri”, thekson Apolloni.

Ka disa vite prej se ka nisur ndërtimi i palestrës sportive. Ende nuk është kryer. Qytetarët thonë se disa hapësira të papërfunduara të saj janë kthyer në strehimore të improvizuar narkomanësh.

“Po të kishte një qasje më të mirë të qeverisjes, do të ishte një qytet interesant”, thotë Apolloni, duke treguar se si megjithatë ishte krijuar një frymë pozitive vjet kur inskenoi një shfaqje në Shtëpinë e Kulturës. Edhe aktorët ishin kaçanikas. “Ka qenë një spektakël, kudo që kemi shkuar, njerëzit e thoshin titullin e shfaqjes, dhe i thërrisnin aktorët me emrat e shfaqjes”, shton Apolloni, i zëshëm në adresimin e kritikave.

Aktivisti tjetër, Sami Stagova, planifikues hapësinor në organizatën lokale “Gjethi”, thotë se segmenti i autostradës nga Fusha e Pajtimit deri në Han të Elezit është i pashfrytëzueshëm për banorët e zonës që marrin udhë për Shkup ose Prishtinë.

“Duke u nisur nga kjo dhe vendimet e fundit të Qeverisë qendrore për shtimin edhe të dy hyrje-daljeve të paparapara fillimisht në Ferizaj nga dy sosh sa ka tani, është e natyrshme rritja e zërave dhe e kërkesave edhe për një hyrje-dalje afër qytetit të Kaçanikut”, thekson Stagova. Ai mendon se institucionet komunale, por edhe shoqëria civile dhe qytetarët, duhet të jenë më ngulmues që edhe kaçanikasit të trajtohen njëjtë nga qeverisja qendrore. Nuk e përjashton mundësinë e organizimit të protestave për kyçje në autostradë në afërsi të qytetit.

“Çdo hap që do të ndërmerret deri edhe në protesta, ‘Gjethi’ planifikon të jetë aty”, thekson Stagova. Protestë ka organizuar shoqëria civile dhe qytetarët muajin e kaluar kundër ndotjes së Lumit Nerodime nga ujërat e zeza. Shkollarët rrallojnë frymëmarrjen kur kalojnë në urat që lidhin brigjet e lumit që ndan Kaçanikun në dysh.

Pasojat e “planifikimit pa lidhje”

“Realisht Suhareka ka qenë një urë lidhëse me Shqipërinë. Të gjitha maunat, autobusët dhe mjetet kanë kaluar në të shumtën e rasteve nga Suhareka”, thekson gazetari suharekas, Uran Haxha. Ai është rritur te Ura e madhe në qendër. Edhe sot nuk e ka problem të bëjë gjumin nën zhurmën e qarkullimit të automjeteve, pasi “ka qenë normale për ne”. Më pas Suhareka do të ndërtonte rrugën transit, që në fakt, sipas Haxhës, ishte improvizim sa për ta shkarkuar paksa qarkullimin në qendër.

Suhareka lidhet në dalje me autostradën “Ibrahim Rugova”. Lidhet edhe në Duhël. “Kësaj duhej shtuar edhe makthi i maunave të mëdha, që e humbnin vetinë e frenimit gjatë kthesave dhe rrugës së vështirë të Carralevës, dhe në Suharekë patën shkaktuar disa fatkeqësi dhe të vdekur”, kujton ai.

E menjëherë pasluftës, kur e gjithë Kosova po eksploronte me padurim plazhet e Shqipërisë, bizneset rreth Stacionit të Autobusëve në Suharekë nuk ua vinin drynin lokaleve deri në orët e hershme të mëngjesit.

“Por me lëshimin në qarkullim të autostradës, e gjithë kjo masë është zhdukur nga Suhareka”, thekson Haxha, kryeredaktor i portalit “ndërtimi.info”.

Punëtorët e njërës prej qebaptoreve përballë Stacionit të Autobusëve thonë se më i madh ishte dikur numri i myshterinjve që ndaleshin të pushonin e shprishnin ndonjë vakt buke rrugës për Shqipëri ose anasjelltas. “Tash vijnë do meraklinj që mandej kyçen në autostradë në dalje të qytetit”, thotë burri që refuzon të flasë.

Haxha thotë se nuk ka ndonjë analizë të mirëfilltë të ndikimit në biznes, porse “njëfarë biznesi urban ka humbur. Mund të them se ky është zëvendësuar deri diku me zonën industriale, e cila është hapur edhe përtej autostradës, por nuk ka qasje në të”, thekson ai, duke shtuar se kjo ka ndodhur për shkak të “planifikimit pa lidhje”.

Linjat e autobusëve Prishtinë-Prizren dhe anasjelltas nuk e kanë ndërruar itinerarin. Megjithatë, makinës mund t’i jepni me shpejtësi më të lartë nëpër Grykën e Carralevës krahasuar me kohën kur ende nuk ishte lëshuar “Ibrahim Rugova”. Tani, rrallëherë përgjatë Grykës krijohet ndonjë kolonë e shkurtër sherri i ndonjë kamioni me zhavorr, një prej bizneseve kryesore të rrethinës. Edhe më rrallë shihni ndonjë familje që shpihet te kamioneta-tezgë e Xhavitit ose në ndonjë pushimore tjetër të improvizuar.

Haxha tani jeton e punon në Prishtinë. Por thotë se rrah rrugën e vjetër të shtunave kur kthehet në vendlindje sa herë mblidhet shoqëria e vjetër. Shpalosin kujtimet fëmijërore. “Këtë e bëjmë tashmë, sepse nuk ka shumë qarkullim të mjeteve të mëdha dhe shkon lirshëm, por edhe sepse nuk është monotonia e autostradës”, thekson ai. “Autostradat kanë shuar qarkullimin ndërqytetar sikur Suharekë-Ferizaj kah Carraleva e Shtimja. Shumë herët në kohë, ka fotografi që përcillen me rrëfime që në Suharekë ka pasur han. Pas Luftës së Dytë Botërore, më pas ka rrëfime të një bujtine që ka ekzistuar, e tek më vonë është ndërtuar Hotel Kristali, në qendër të qytetit që sot nuk ekziston. Pra, duke qenë një urë lidhëse, gjithmonë ka pasur shtegtarë që i ka zënë nata aty”.

Numri i makinave është zvogëluar dukshëm edhe përgjatë magjistrales që përshkon Grykën e Kaçanikut. Edhe më i ulët është numri i pikave ku mund të shijosh pak natyrën dhe të freskohesh me ujin e ftohtë të krojeve të rrethinës. Vende-vende asfalti dhe shtyllat e larta të betonit prishin peizazhin e shtratit të Lepencit të rrëmbyeshëm poshtë.

“Mund të vlerësohet se autostrada që kalon mbi Lumin Lepenc përgjatë Grykës së Kaçanikut e ka pamundësuar shijimin e natyrës së mrekullueshme aty”, thekson Stagova, aktivisti i “Gjethit. “Nuk mund të jetë atraktive për turistët, por edhe banorët e zonës një luginë lumi me vlera mjedisore dhe emblematike për nga identiteti historik kur në vend se të dominojë natyra potencialisht e mrekullueshme dhe promovimi i historisë, dominon betoni në horizont”.

Stagova mendon se Kosova nuk mund të joshë turistët e huaj – sidomos ata perëndimorë – me betonizimin e bukurive të saj.