Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se me projektin për zgjerimin e rrugës të segmentit Kijevë-Dollc dhe me anulimin e projektit të autostradës së Dukagjinit Qeveria ia ka kursyer Kosovës 150 milionë euro, ka nxitur reagim të ashpër të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Në Gllarevë, për të parë nga afër fillimin e punimeve në 3 llote të segmentit Kijevë-Dollc, me gjatësi 10.9 kilometra, me një kosto prej më pak se 21 milionë euro, në kuadër të zgjerimit të rrugës nacionale N9. Pas këtij segmenti, vjen ai Dollc-Zahaq, për të cilin do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin maj. Rruga Kijevë-Zahaq do të bëhet, me cilësi më të lartë, projektim e përgatitje më të mirë, dhe atë për 150 milionë euro më lirë se projekti paraprak të cilin e kemi anuluar. Nga 240 milionë euro sa kushtonte atëherë kur nuk po realizohej, tash po realizohet me 90 milionë euro”, ka shkruar Kurti në Facebook të premten.
Këtë deklaratë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati premtuar autostradën e Dukagjinit, e ka quajtur “rrenë të kulluar elektorale”. Ai ka thënë se kjo autostradë megjithatë do të ndërtohet “herëdokur”.
“Deklaratat bombastike të Qeverisë sikur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, qeveria po ia kursejka buxhetit të Kosovës 150 milionë euro, janë rrenë e kulluar elektorale. Me projektin e Autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.