Arbëri

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj katër operatorëve kabllorë për marrëveshje kartel

Ndaj katër operatorëve kabllorë është nisur hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për dëmtim të konkurrencës së lirë përmes lidhjes së marrëveshjes kartel. Sipas Autoritetit, këto kompani kanë rritur dhe fiksuar çmimet, kanë ndarë tregjet dhe kanë manipuluar me oferta. Një marrëveshje e tillë është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim ndaj katër operatorëve kabllorë me dyshime të bazuara se kanë arritur marrëveshje për të dëmtuar ose eliminuar konkurrencën e lirë.

Bazuar në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës, kompanitë kanë krijuar sistem për të fiksuar çmimet, për të ndarë tregun dhe për të kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët.

“Ndaj Artmotion Sh.p.k...., Kujtesa Sh.p.k...., Telkos L.L.C....., ISP-Broadcast Sh.p.k...... fillon procedurë hetimore për shkak të dyshimeve se kanë arritur marrëveshje të ndaluar për të kufizuar ose eliminuar konkurrencën mes tyre, me objektivin e rritjes së çmimeve dhe fitimeve të ndërmarrjeve pjesëmarrëse duke fiksuar çmimet, duke bërë ndarjen e tregjeve, klientët ose territoret, duke manipuluar me ofertat ose një kombinim të disa prej këtyre llojeve të veçanta të kufizimeve të konkurrencës në treg”, u tha nga Autoriteti i Konkurrencës.

Ndjekja e këtyre operatorëve do të bëhet bazuar në legjislacionin në fuqi ku përcaktohen marrëveshjet e ndaluara që e dëmtojnë konkurrencën e lirë.

“Këto veprime jo vetëm që rrisin çmimet për konsumatorët, por gjithashtu krijojnë një mjedis të padrejtë për bizneset e tjera që operojnë në të njëjtin sektor, duke zvogëluar konkurrencën dhe duke shtrembëruar tregun. Ky hetim synon të sigurojë se çdo veprim i tillë që dëmton konkurrencën do të trajtohet sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, një marrëveshje kartel është një “ujdi midis firmave konkurrente që hartohet për të kufizuar apo shmangur konkurrencën midis tyre dhe që synon rritjen e çmimeve dhe të fitimeve të ndërmarrjeve pjesëmarrëse, pa ofruar asnjë përfitim shtesë në të cilin mbështetet kjo rritje”.

Përveç shkeljes së konkurrencës operatorët kabllorë janë dënuar edhe për mashtrim ndaj konsumatorëve nga Komisioni i Pavarur i Mediave.