(E përditësuar 09:48) - Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” të enjten ka pezulluar përkohësisht aktivitetin transportues të udhëtarëve si rrjedhojë e siç thuhet “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit”.
Në një njoftim zyrtar, shoqata ka theksuar se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që i takojnë operatorëve ekzistues.
“Këto veprime, sipas shoqatës, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, duke rrezikuar ekzistencën e saj dhe vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, ata po kërkojnë me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të adresuar këtë shkelje ligjore dhe për të marrë masa të menjëhershme që të mundësojnë vazhdimin e shërbimeve të transportit në kushte të drejta dhe të ligjshme për të gjithë operatorët.
Shoqata kërkon gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të sigurojë treg të ndershëm e të barabartë për të gjithë operatorët, duke respektuar konkurrencën dhe kuadrin ligjor.
Komuna e Prishtinës së fundmi ka lëshuar linja të reja në fshatrat e kryeqytetit që janë rrugës për Podujevë. Dhe ato funksionojnë me sistem të biletave të transportit publik urban.
(09:14) - Autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë kanë hyrë në grevë të enjten.
Autobusët janë ndalur në Lupq të Podujevës dhe si pasojë janë shkaktuar edhe kolona te veturave.
Në vendngjarje është parë edhe Policia.
Qytetarët kanë pritur me orë të tëra për të udhëtuar.
Nuk ka ende detaje mbi arsyet e grevës.