Arbëri

Autoambulanca për transport të specializuar të foshnjave të porsalindura, prej shtatë muajsh e pashfrytëzuar

Autoambulanca e dedikuar për transportin e specializuar të foshnjave të porsalindura ka shtatë muaj që qëndron e pashfrytëzuar në garazhin e Qendrës Klinike Universitare.

Klinika e Neonatologjisë që nga maji është pajisur me të parën autoambulancë të tillë nga Ministria e Shëndetësisë, por automjeti ende nuk është vënë në funksion. 

Luan Morina, i cili që nga qershori është ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës, thotë se në mosfunksionalizimin e autoambulancës ka ndikuar procesi i përgatitjes së stafit.

“Lehtë mund të themi se jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve, do të thotë ambulanca është bërë, stafi i klinikës sonë është i gatshëm, i kemi kryer disa trajnime edhe me mjekët, domethënë të klinikës sonë, po edhe me kolegët nga spitalet regjionale dhe ato janë informuar edhe për të gjitha ato të cilat e kanë një pjesë të përgjegjësisë, domethënë ngarkohen në një pjesë të përgjegjësisë për funksionalizimin e kësaj”, ka thënë Morina, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë.

Krahas transportit të sigurt të të porsalindurve, kjo autoambulancë mundëson edhe qasje në kujdesin intensiv. 

Morina ka thënë se shërbimi i transportit neonatal pritet të nisë nga java e ardhshme dhe se përparësi do t’u jepet rasteve me gjendje shëndetësore më të rënduar.

E gjatë këtij viti ai ka bërë të ditur se nga spitalet regjionale dhe ato private në drejtim të QKUK-së janë transferuar 600 foshnja të porsalindura me autoambulanca të zakonshme. 

“Prej atyre normalisht e kemi një numër të caktuar që realisht kanë pasur nevoja për përkrahje respiratore. Ndoshta mund të themi diku rreth 100 foshnja mund të kenë nevojë për një përkrahje respiratore ose për një ndihmë për transport të specializuar nga vendi ku lind”, ka thënë Morina.

Autoambulanca, që QKUK-së i është dorëzuar më 7 maj, është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet huamarrjes nga Banka Botërore, në vlerë prej afro 200 mijë eurosh.

“Kjo autoambulancë do të përdoret për transferime urgjente për të sapolindurit që kanë nevojë për trajtim më të specializuar në një spital tjetër, si dhe për transferime elektive ose për t’i kthyer foshnjat e shëruara nga spitali në shtëpitë e tyre”, thuhej në njoftimin e Ministrisë të datës 7 maj 2024.

KOHA ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë se përse përgatitja e stafit nuk ka nisur më herët dhe përse është dashur shtatë muaj kohë për funksionalizimin e autoambulancës, porse nuk ka marrë përgjigje.