Arianit Nocaj ka gjetur dashurinë në vendlindjen e prindërve. Për shkak të “njeriut të zemrës”, ka ardhur për herë të parë vetëm në Kosovë. Por djaloshi nga Klina e që jeton në Austri thotë se pavarësisht integrimit në Austri e mikpritjes së ngrohtë në Kosovë, ka raste kur në të dyja vendet ndihet i huaj. “Unë e konsideroj veten edhe atje, edhe këtu, diqysh si ausländer”, thotë me qeshje djaloshi në aeroportin “Adem Jashari” derisa në dorë mban fotografinë me të dashurën
Dashuria e ka shtyrë Arianit Nocajn të vijë për herë të parë vetëm në vendlindjen e prindërve. Djaloshi nga Klina është lindur e rritur në Austri, por dashurinë e gjeti para dy vjetësh në Kosovë.
“Tash kam ardhur me u marrë me vajzën time”, thekson Nocaj, ulur në njërën prej kafeneve në aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”. Me “vajzë” i referohet së dashurës nga Kosova. Në dorë mban një fotografi të shkrepur bashkë me të në një ashensor.
“Nuk kam mundur të vij për shkak të pandemisë dhe diqysh gati prapë jemi njoftuar, sepse është ftohur situata pak, ama kështu mirë u kanë”, shton me qeshje djaloshi, teksa përshkruan sfidat e mbajtjes së dashurisë në distancë në kohë pandemie.
Arianiti është shqiptar i gjeneratës së tretë të mërgatës. Kosova nuk e di saktësisht se sa shtetas të saj jetojnë në diasporë, pasi në regjistrimin e vitit 2011 nuk i përfshiu shtetasit e saj që jetojnë jashtë vendit. Pjesa më e madhe dolën gjatë viteve nëntëdhjetë, kur po përballeshin me burgosje, arrestime e keqtrajtime të regjimit serb.
Sherif Asllani nga Vushtrria është vetëm njëri prej atyre që do të detyrohej ta merrte Evropën në sy. Rrugëtimi ilegal, sfidë në vete. Jeton në Dortmund në Gjermani.
“Ka pasur sfida, por mirë kemi kaluar, se Gjermania shtet social, na ka ndihmuar”, thekson Asllani, i cili të mërkurën ka ardhur me familje nga shteti me ekonominë më të fuqishme në Evropë. “Përpos për banesa që kemi hjek, por duke punuar kemi krijuar në standard, dhe tash të gjithë kemi ndërtuar shtëpia në Kosovë”. Ai vazhdon të jetë i lidhur me vendlindjen dhe pushimet verore rregullisht i kalon në Kosovë.
Histori të ngjashme ka edhe Rafun Mustafa nga Prizreni, i cili jeton në Austri. Migroi më 1995, fillimisht në Gjermani, kur kishte shkuar si 25-vjeçar. Kishte humbur shpresën në Kosovën në lakun e Serbisë. Përshkruan kalimin ilegal përgjatë kufijve të shteteve evropiane.
“Kemi hjekë shumë, nëpër kamiona, nëpër shlipera, qashtu si të gjithë”, thotë Mustafa, që përpihet e shtrëngon dhëmbët nga emocionet. “Udhëtimi ka zgjatur një javë nëpër fusha, male, reka, me taksi. Qysh kemi mundur, qysh na qitshin ata njerëzit”.
Turistë në vendlindje
Zekë Çeku, ekspert i turizmit, thotë se sipas standardeve ndërkombëtare të turizmit, të gjithë mërgimtarët konsiderohen turistë, pavarësisht se shumë prej tyre janë lindur e rritur në Kosovë.
“Mërgimtarët tanë hyjnë në kategorinë e turistëve ndërkombëtarë, qysh i quajnë, për shkak se jetojnë në një vend të jashtëm”, thekson Çeku. “Çdo vizitor që ka banimin në një vend të jashtëm dhe shkon në një destinacion të jashtëm, konsiderohet turistë ndërkombëtarë dhe udhëhiqet si turist ndërkombëtar”.
Kosova ka tri gjenerata mërgimtarësh. Ai thotë se Kosova duhet të bëjë çmos që të mbajë afër vetes gjeneratën e tretë, që përfshin kryesisht të rinj të lindur e të rritur jashtë vendit.
Arianit Nocaj ta zëmë është shtetas austriak, por veten e konsideron edhe qytetar të Kosovës.
“Po këtu është atmosfera, si me thanë, më e nxehtë”, thekson ai, duke iu referuar mikpritjes dhe afërsisë së njerëzve në Kosovë.
“Njerëzit këtu ndihmojnë më shumë, edhe folin më shumë, por në përgjithësi është interesante”, thekson Nocaj, pedagog në një shkollë fillore në Austri.
Enver Robelli, publicist i “Kohës Ditore” dhe i gazetave të botës gjermanofone, ka përmbledhur më 6 maj – tri ditë para Ditës së Evropës - rolin që diaspora ka pasur gjatë organizimit të rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur në Kosovë.
“Dhe besoj se komunikatat e para, ose ndër të parat të UÇK-së, janë shkruar prej Cyrihut”, theksonte Robelli. “Gjithçka që tash diaspora investon këtu e investon me qejf, ose ndihmohen familjet, dhe para pandemisë ka pasur nga pesë-gjashtë fluturime nga Zvicra në Kosovë, janë një orë e 45 minuta dhe kur e llogarit me relacionin me Shtetet e Bashkuara, Zvicra është larg Kosovës një hap maçorri”.
Sipërmarrësit e diasporës
Ata që u larguan gjatë viteve nëntëdhjetë e kishin më të lehtë, pasi ua zgjatën dorën mërgimtarët e gjeneratës së parë.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës deklaronte se vetëm në Gjermani kishte më shumë se tridhjetë mijë biznese të regjistruara të mërgimtarëve shqiptarë.
Sabir Dernjani nga Goranca e Hanit të Elezit është pronar restoranti në Gjermani.
“Kam pasë punu me italianë në gastronomi dhe kam mësuar gjuhën italiane, gjermane e kështu me radhë, dhe tash kam restorantin tim dhe punoj me familje”, thekson Dernjani.
Diaspora ndihmoi familjet kosovare në kulmin e pandemisë, kur Qeveria mbylli ekonominë si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në tremujorin e parë të këtij viti remitencat kanë arritur shumën prej 250 milionë eurosh ose rreth 60 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Pavarësisht krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid-19, remitencat edhe më 2020 shënuan rritje 120 milionë më shumë se në vitin 2019.
Ndërsa sipas Institutit Riinvest, në 10 vjetët e fundit, remitencat kanë arritur vlerën mbi 7 miliardë euro.
“Në periudhën e pandemisë kemi vërejtur se diaspora ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit, jo që nuk e kemi ditur, jo që nuk ka reflektuar në pjesën e shifrave zyrtare, por kemi parë se në raport me mirëqenien e familjeve, por edhe në raport me qarkullimin e bizneseve, ndikimi është shumë më i madh”, ka thënë drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Por ekspertët e emigracionit vlerësojnë se Kosova dhe shtetet e Ballkanit në tërësi nuk ia kanë dalë ta shfrytëzojnë si duhet potencialin e diasporës në ekonomi.
Publicisti Robelli në emisionin “Desku” ka treguar nga përvoja e tij në Zvicër se si shqiptarët e gjeneratës së tretë të mërgatës janë integruar në institucionet vendase.
“Mendoj se zhvillimi dhe integrimi i diasporës duhet të shihen si shans i madh, dhe mendoj se praktikisht nuk ka institucione të Zvicrës ku nuk mund të gjesh një shqiptar”, ka treguar Robelli. “Ka pronarë firmash me tre-katërqind punëtorë, që nga deri në dhjetë milionë franga importojnë mall nga Kosova”.
“Fëmijët janë të kalltë për Kosovën”
Çeku e Rukiqi thonë se Qeveria duhet të ketë strategji të qartë për orientimin e investimeve të diasporës në fusha që gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme, e që do t’i lidhnin me Kosovën edhe pjesëtarët e gjeneratës së tretë, të lindur e rritur në botën perëndimore.
Mustafa, i cili migroi në vitet nëntëdhjetë në mes të njëzetave, thotë se fëmijët e tij mezi presin t’i përgatisin valixhet kur nisen për në Kosovë.
“Fëmijët e mi janë të kalltë. Djali thotë ‘babi kur po shkojmë në Kosovë?’ Janë të përmalluar për Kosovën”, thotë me emocione Mustafa para “Adem Jasharit”.
Rinia e diasporës ka mbushur klubet e natës nëpër Kosovë pas zbutjes së masave të Qeverisë për gastronominë.
“Ky është gjesti më i mirë që ka mundur të bëjë Qeveria, duke e ditur se është një lloj vaksine ekonomike për ne Kosovën, sidomos kur vjen mërgata”, ka thënë Dekorim Sahiti, pronar i klubit “Zone”. ”Pos që është ana ekonomike, është edhe diçka që ne mundemi me ia ofru mërgatës, duke e ditur se vendi ynë nuk ofron ndonjë deti ose diçka spektakolare që ata me u ndi mirë dhe me nejtë këtu. Po mendoj se jeta e natës dhe e gastronomisë e bën shumë më të mirë që ata me nejtë këtu”.
Derisa në kafenenë e aeroportit pret fluturimin e shtyrë drejt Austrisë, Arianit Nocaj, tash që ka gjetur dashurinë në vendlindjen e prindërve, thotë se do t’i shpeshtojë vizitat në Kosovë. Megjithatë e thotë me humor se nuk po ndihet mirë që mërgimtarët po konsiderohen të huaj edhe në shtetet perëndimore e edhe në Kosovë.
“Unë e konsideroj veten edhe atje, edhe këtu, diqysh si ausländer”, thotë me qeshje djaloshi qimerrallë. “A e di, atje i kam unë letër e krejt, por unë s’jam austriak, domethënë vetëm në pasaportë jam austriak, e këtu diqysh jam shqiptar, por prapëseprapë s’jam se jam i jashtit, i diasporës. Unë vetes i them shqiptar, po më pyet dikush, i them shqiptar jam”.
Dështimi i qeverive dhe modeli irlandez i diasporës
Alida Vraçiq, drejtoreshë ekzekutive e grupit të pavarur të mendimit, “Populari”, i specializuar për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, në një hulumtim të publikuar dy vjet më parë në uebfaqen e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, shkroi të mirat që shtetet e Ballkanit mund t’i përfitojnë prej diasporave të tyre.
Në hulumtimin e titulluar “Lum si irlandezët: Si mund të jetë i mirë emigrimi për Ballkanin Perëndimor”, Vraçiqi përmbledh qasjen e shteteve të rajonit ndaj mërgatave të tyre, kryesisht në Evropën Perëndimore.
Që në hyrje vlerëson se qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë dështuar të përfitojnë prej potencialit të diasporës së tyre të madhe – gjashtë milionë qytetarë – anembanë botës. Ajo tregon se diaspora ka rrjete, shkathtësi dhe asete që shteteve të Ballkanit Perëndimor u duhen për t’u zhvilluar dhe për të prosperuar në epokën e konkurrencës së ashpër ekonomike.
“Përvoja e Irlandës është kthyer në standard: Popullsia e sotme ‘irlandeze botërore’ përbëhet prej një diaspore të organizuar në rrjet, që në rend të parë vë interesat irlandeze anembanë botës dhe që ka dhënë kontribute të rëndësishme për mrekullinë ekonomike të Irlandës”, shkruan Vraçiqi.
Dhe për t’i ndjekur hapat e irlandezëve, Ballkani Perëndimor urgjentisht duhet të mbledhë të dhëna, përfshirë kryerjen e analizave dhe anketimeve të thukëta të forcës punëtore, të kuptohet siç duhet diaspora dhe të mësohet si të komunikohet më së miri me të, rekomandon studiuesja boshnjake.
“Dhe Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë në këtë pikë. Duhet të ofrojë programe të emigracionit, me qëllim që qytetarët e shkolluar të Ballkanit Perëndimor në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të kthehen në vendlindje me shkathtësi të zhvilluara për të dhënë kontribut edhe më të madh sesa mund të kenë dhënë kur janë larguar”.