Arbëri

Auditori i Përgjithshëm tregon shkeljet në dy auditime të pajtueshmërisë dhe një të performancës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencë për media të enjten ka prezantuar rezultatet e dy auditimeve të pajtueshmërisë dhe një auditimi të performancës.

Bëhet fjalë për auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021; auditimit të pajtueshmërisë “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023”; si dhe auditimit të pajtushmërisë “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”.

“Auditimi ka evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së. Nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste NSh/AKP-ja nuk kanë marrë masa për të parandaluar ndërtimet pa leje. Ndërsa në 14 raste AKP-ja ka ndërmarrë masa të ndryshme, si: padi gjyqësore, kërkesa për inspektoratin, kallëzim penal, masë të përkohshme. AKP-ja nuk kishte bërë ndonjë analizë të kostos së përfitimeve për të vlerësuar nëse rikthimi i gjendjes paraprake të aseteve në të cilat kishte ndërtime pa leje do të ishte i leverdishëm. Në 90 asetet e shitura të NSh-ve që ishin kategorizuar për shitje direkte për shkak të ndërtimeve pa leje në prona shoqërore, ishte konstatuar që rikthimi i asetit në gjendjen paraprake është i pamundur, konstatime të tilla nuk kishin arritur të mbështeten me ndonjë analizë financiare”, ka thënë ajo.

Spanca ka shtuar se sipas bazës së të dhënave të AKP-së për Modulin e shitjeve direkte janë dorëzuar 2,233 kërkesa nga palët pretenduese. Prej tyre, AKP-ja ka trajtuar vetëm 558 kërkesa apo 25% të tyre, ndërsa kishin mbetur edhe 1,675.

“Nga testimet tona kemi vërejtur se Bordi kishte trajtuar vetëm kërkesat e ekonomive familjare duke lënë anash kërkesat e subjekteve juridike - bizneseve. Ne nuk kemi hasur në ndonjë akt (qoftë vendim administrativ/udhëzim me shkrim apo rregullore) që lejon anashkalimin e kërkesave që vijnë nga subjektet juridike - bizneset. Në katër raste, kriteret për klasifikim të aseteve për shitje direkte nuk ishin marrë parasysh nga ana e AKP-së si: Tek “NSh Kooperativa Bujqësore “Agrokultura” – Zona kadastrale Bajgorë – në vitin 2019 Bordi kishte arsyetuar vendimin e tyre për shitje vetëm se parashtruesi i kërkesës është investitor strategjik pa i përfill kriteret e përcaktuara; Tek Prona e “NSh KBI “Kosova Export - NSh “Ratar” - zona kadastrale e Çagllavicës - Prona që ishte subjekt i kërkesës për shitje direkte ishte shitur, pavarësisht se kërkuesi në pronën ekzistente kishte qasje në rrugë; Prona e “NSh KB “Bujqësia” - Zona Kadastrale Obiliq - kishte qasje në rrugë dhe nuk kufizohej me pronë private (si dy nga kriteret që e klasifikojnë një pronë për shitje direkte); dhe Edhe tek Prona e “NSh “NBI Rahoveci” - Zona kadastrale Rahovec - Prona që ishte subjekt i kërkesës për shitje direkte, kërkuesi kishte qasje në rrugë”, ka shtuar ajo.

Auditimi tjetër i pajtueshmërisë, sipas saj, ka pasur për objektiv të vlerësojë në komuna e Ferizajt ka përcaktuar procedurat dhe format për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës dhe menaxhimin e pronave dhe aseteve të dhëna me qira në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se komuna e Ferizajt nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira. Rreth 66% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi”, është shprehur Spanca. 

Ndërsa për auditimin “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”, Spanca tha se fokusi ka qenë në proceset e prokurimit në vitin 2023, duke përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin e kontratës dhe masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u siguruar që ato kanë qenë efikase deri në arritjen e qëllimit të tyre.

“Rezultatet e auditimit kanë identifikuar mangësi nga faza e planifikimit të prokurimit e deri të monitorimi i tyre. Ndër të tjera, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara t’i kontraktojë”, ka theksuar ajo. 

Sipas saj, deri në fund të këtij muaji do të publikohen edhe raportet e auditimit të performancës si: Prishtina Parking, Pronat e Institutit Bujqësore dhe Lista e pritjes së pacienteve.

Sezoni i auditimit 2023/2024 do të përmbyllet me dërgimin e Raportit Vjetor të Auditimit të buxhetit të shtetit për vitin 2023 në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe me identifikimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim te cilat do t’i dërgohen Prokurorit te Shtetit.