Ministria e Punëve të Jashtme ka avulluar 23 mijë e 272 euro përmes shfrytëzimit të kartave të kreditit.
Pas raportimit të KTV-së, Auditori i Përgjithshëm ka konfirmuar shpenzimet e paarsyetuara me karta të kredit, të ministrit Behgjet Pacolli, zëvendësministrave, Anton Berisha, Rejhan Vuniqi, Besnik Hoti dhe të këshilltarit politik të ministrit, Jetlir Zyberaj, raporton KTV.
Nga 67 mijë e 959 eurot e paarsyetuara me kohë, Ministria e Jashtme ka arritur të arsyetojë, pas afatit kohor, 39 mijë e 87 euro.
Veç kësaj, 5,600 euro të tjera, në pamundësi të arsyetimit të shpenzimeve, janë kthyer para të gatshme nga shfrytëzuesi i kartës së kreditit.
Ndërsa, në total, të paarsyetuara kanë mbetur 23 mijë e 272 euro.
Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme, gjatë së premtes, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit rreth gjetjeve të Auditorit.
Ndërkaq, Auditori i Përgjithshëm ka vlerësuar se mosarsyetimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe mosmbyllja e avanseve e rrit rrezikun që paratë publike të jenë përdorur në kundërshtim me rregullat e aplikueshme.
Auditori ka kërkuar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, që të gjitha rastet kur zyrtarët nuk i kanë arsyetuar shpenzimet, shumat e paarsyetuara t’u ndalen nga pagat.