Administratata Tatimore e Kosovës ka mbledhur më shumë të hyra në gjashtëmujorin e parë të vitit krahasuar me një vit më parë.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se janë tejkaluar objektivat që kishin vënë.
“Kemi tejkaluar objektivat tona të të hyrave tatimore. Indikator kyç i performancës janë të hyrat tatimore. Gjatë këtyre 6 muajve kemi mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Janë zhvilluar mbi 14 mijë inspektime të ndryshme dhe si rezultat i kësaj kemi një tatim shtesë. Nuk është se i mburremi identifikimit të rasteve të tilla por është një parandalim i shmangieve nga tatimi”, ka thënë ai.
Të hyrat rrodhën nga tatimet me 473.3 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar ka rritje për 50.1 milionë euro, si dhe kontributet pensionale janar-qershor që ishin 147.8 milionë euro e që bashkë përbëjnë 621.1 milionë euro të hyra në ATK.