Niko Bllazhde (i njohur në publik si at Nikolla Xhufka) dhe Lejdi Zagalli, të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nxitje të përçarjes në bashkëkryerje, janë vetëdeklaruar të pafajshëm të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ndaj tyre fillimisht kishte bërë kallëzim penal Kisha Ortodokse Serbe - Mitropolia Rashkë-Prizren pasi më 28 nëntor të vitit të kaluar ata hynë në një kishë të braktisur në fshatin Rakinicë të Podujevës, duke e shpallur atë kishë shqiptare dhe duke ia vënë asaj emrin "Fan Noli".
Bllazhde, i njohur si at Nikolla Xhufka, është personazh i famshëm në rrjete sociale si drejtues i Kishës së Shën Kozmait në Elbasan. Megjithatë Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është distancuar vazhdimisht nga deklaratat e tij dhe ka treguar se ai nuk është prift i kësaj kishe. Ndër të tjera Bllazhde e ka mallkuar Kishën Ortodokse Serbe dhe patriarkun e saj, Porfirijen. Kryeklerikut ortodoks përmes përshkrimit të fotove në rrjeteve sociale, sipas aktakuzës, Xhufka i ishte drejtuar me fjalët “Kisha Ortodokse kombëtare shqiptare i bën thirrje Kishës serbe dhe Dioqezës së Rashkës dhe Patriarkut Porfirije, Porfirije mos guxo t’i afrohesh Ortoksisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse ‘Fan Noli’ në Rakinicë të Podujevës, sepse zjarri i ferrit të pret, jeni një kishë dhunuese dhe një kishë anti-ligjore, jeni një kishë e mallkuar nga kisha ortodokse e vërtetë Kombëtare Shqiptare”.
Kisha me të cilën të akuzuarit kanë publikuar fotografi është “Kisha e vjetër e braktisur e Shën Arkangjel Mëhillit” në bazë të listës së Ministrisë së Kulturës, që përmban monumentet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale të Kishës Ortodokse Serbe, disa herë në të kanë qenë priftërinjtë serbë dhe kanë mbajtur ceremoni fetare.
Si Niko Bllazhdes, ashtu edhe Lejdi Zagallit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë 30 ditë afat për të paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe për t’i kundërshtuar provat. Me veprime të tilla, sipas Prokurorisë Speciale, shtetasi i Shqipërisë ka nxitur mosdurim kombëtar mes grupeve etnike të cilat jetojnë në Kosovë.
Lidhur me këtë rast ka ngritur aktakuzë prokurori Afrim Shefkiu më 27 maj 2024.