Arbëri

Atashetë policorë në shtatë ambasada mbahen jashtëligjshëm nga MPJ-ja

Në kundërshtim me ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme është duke i mbajtur në ambasada jashtë vendit shtatë atashe policorë. Atyre u ka përfunduar mandati në verën e vitit 2023 dhe prej atëherë MPJ nuk e ka bërë zëvendësimin. Ndërkohë, Qeveria është në hartim të ligjit të ri për Shërbimin e jashtëm me të cilin në pozitat e atasheve të mund të përfshihen edhe nëpunës të caktuar

Shtatë atashe policorë në ambasada të Kosovës jashtë vendit, janë duke qëndruar në shërbim jashtë mandatit që ua lejon ligji, është informuar KOHA. Sipas Rregullores për shërbimin e jashtëm të MPJ-së, atashetë caktohen në detyrë për një kohëzgjatje prej katër vjetësh. Të shtatëve që gjenden në SHBA, Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Francë dhe Turqi, u ka përfunduar mandati në verën e vitit të kaluar dhe prej atëherë MPJ bashkë me MPB-në dhe Policinë e Kosovës nuk i kanë kryer procedurat e zëvendësimit të tyre.

Në Ministri të Punëve të Jashtme prej dy ditësh, e në atë të Brendshme dhe Polici, prej tre ditësh, nuk kanë dhanë kurrfarë informacione për mbajtjen e atasheve në detyrë në kundërshtim me ligjin.

Atashetë përzgjidhen me konkurs në Policinë e Kosovës, dhe emrat e tyre procedohen tek ministri i MPB-së nga Drejtori i Policisë. Nëse nuk ka kundërshtime për emrat, ata përcillen për te ministri i MPJD-së për të nxjerrë vendimet që ata të dërgohen në misionet e jashtme. Zëvendësimi i atasheve me të rinjtë, bëhet kryesisht në periudhën nga fillimi i qershorit e deri në fund të gushtit. Por ndërkohë, gjatë kësaj periudhe në këtë vit Qeveria ka synuar hartimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm me të cilin mes tjerash është paraparë që “në personelin e misioneve me funksion atashe të mund të përfshihen edhe nëpunës të caktuar, në bazë të një marrëveshjeje të nivelit të shërbimit ndërmjet Ministrisë dhe institucioneve të tjera”.

Kosova ka tetë atashe policorë nga rreth 50 misione diplomatike në krejt botën. Përveç këtyre me mandat të përfunduar, një tjetër shërben në Europol por që nuk është me statut të plotë. 

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Skënder Përteshi, tregon detyrat e atasheve nëpër misione diplomatike dhe rëndësinë e shërbimit të tyre.

“Atashetë policorë të Kosovës e forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe e lehtësojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me shtete partnere, kryejnë punë të rëndësishme në koordinimin e aktiviteteve për parandalimin dhe adresimin e një numri të madh të rreziqeve që lidhen me sigurinë kombëtare qoftë koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta apo hetimeve të përbashkëta në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit me narkotikë, trafikimit me armë apo luftimin e terrorizmit”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit të pagave, atashetë marrin pagë me nivelin e koeficientit 5.8 apo 638 euro në muaj. Por me Rregulloren për Kompensimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm, shpenzimet e atasheve planifikohen në planin vjetor të buxhetit të misionit sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe institucioneve të tjera përkatëse.