Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) të martën ka kërkuar urgjentisht nga Ministria e Financave dhe Transfereve (MFPT) të lëshojë “Qarkoren e dytë Buxhetore për komunat e Kosovës” pasi sipas tyre po vonon që të fillojë procesi final i planifikimit buxhetor për vitin 2025.
Në një komunikatë për media, AKK-ja u shpreh e brengosur që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t'i zhvillojnë debatet me qytetarë dhe kjo mund të dërgojë, sipas tyre, në mosplanifikim të mirë buxhetor dhe në mospërmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
“Gjithashtu, mosdorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës”, thuhet në komunikatën e tyre.
AKK-ja ka thënë se nuk është hera e parë që Ministria e Financave ua dërgon shumë vonë këtë qarkore. Sipas Asociacionit, kjo i rrezikon komunat që të mos kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin në mbledhjet e kuvendeve komunale.
“Është obligim ligjor që deri më 1 shtator planifikimi i buxhetit t’i shkojë kuvendeve komunale”, thuhet tutje në komunikatë.
Pa “Qarkoren e Dytë Buxhetore”, sipas AKK-së, komunat nuk i dinë as kufijtë përfundimtarë buxhetorë si organizata buxhetore dhe “kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetin në Kuvendin e Komunës”.
“Nëse ndodhë që Ministria e Financave të vonohet edhe më tutje, bordi i AKK thekson që e gjithë përgjegjësia duhet të bijë mbi ministrin Murati, që deri më tani është treguar neglizhent në raport me kërkesat e komunave”.
AKK-ja gjithashtu ka kërkuar nga MFPT-ja që ta bëjë sa më shpejtë bartjen e mjeteve financiare te komunat nga të hyrat vetjake të vitit 2023, duke thënë se e ka obligim ligjor.
“Këto mjete ende janë të bllokuara nga MFTP dhe ia rikujtojmë Ministrit Murati që këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e Komunave të bllokohen nga niveli qëndror. Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye. Duhet ditur se MFPT e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave dhe që shumica absolute e këtyre mjeteve janë të dedikuara për investime kapitale, pra në përmisimin e jetës së qytetarëve”, thuhet në komunikatë.