Arbëri

Asociacioni, angazhim pas anëtarësimit në KiE

Votimi në KiE

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar të mërkurën opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare. Tani çështja i kalon Asamblesë Parlamentare, e cila do të mblidhet në prill. Nëse opinioni kalon edhe në këtë instancë, atëherë vendimmarrja finale i mbetet Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare që do të takohen në maj të këtij viti. Komisioni e ka vlerësuar arritje të madhe zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”

Kosova e ka kaluar me sukses vendimmarrjen e radhës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. 

Në takimin e së mërkurës në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci e ka miratuar me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim opinionin e raportueses, Dora Bakoyannis, me rekomandimin që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. 

Mediat serbe kanë raportuar se kundër Kosovës kanë qenë dy vota nga Serbia, një nga Mali i Zi, një nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa përfaqësuesi nga Greqia ka abstenuar. 

Sipas njoftimit, Komisioni për Çështje Politike e ka mirëpritur listën e zotimeve me shkrim nga autoritetet e Kosovës, duke vënë në dukje se “anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të jetë katalizator që Kosova të vazhdojë të shënojë përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të adresojë sfidat e pazgjidhura dhe çështjet shqetësuese”, thuhet në njoftimin, të cilit i është bashkëngjitur edhe raporti i Bakoyannisit.  

Kërkohet zbatim efektiv i garancive të ofruara

Në njoftim janë përmendur çështje të tilla si hendeku mes standardeve normative dhe zbatimi efektiv i tyre, nevoja për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe për të nxitur një klimë të favorshme për besim, pajtim dhe përfshirje. Është theksuar gjithashtu si “një përparim i madh” zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit. 

E për sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Komisionit, ai duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit, që do të ndihmonte të garantohet mbrojtja e të drejtave të serbëve të Kosovës”.  

“Është e qartë se themelimi i një Asociacioni të komunave nuk përbën kërkesë në kuadër të standardeve të Këshillit të Evropës. Megjithatë, në rastin e Kosovës, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një moment historik i domosdoshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një detyrim ndërkombëtar dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen demokratike të serbëve të Kosovës dhe garanci për mbrojtjen e të drejtave të saj”, thuhet në opinionin e Bakoyannis. 

“Mungesa e progresit drejt krijimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe ka qenë burim i madh i pakënaqësive dhe mosbesimit në mesin e komunitetit serb të Kosovës, veçanërisht në veri”. 

Sa u përket shpronësimeve në veri, sipas raportit, ato duhet të kryhen duke respektuar ligjin dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit. Raporti përmend edhe shqetësimet për situatën e sigurisë në komunat veriore. 

“Duke vënë në dukje përkeqësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore të Kosovës, komisioni vuri në dukje se ‘rreziku për dhunë të hapur në Kosovë është shumë real’, dhe se siguria varet nga mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, de-përshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan aty. 

Duke pranuar “rrethanat e paprecedenta” të aplikimit dhe duke pasur parasysh se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, Komisioni ka bërë thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis” teksa e ka ftuar Këshillin e Ministrave të sigurohet që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykim ndaj qëndrimeve të shteteve anëtare individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

Procedurë monitorimi për Kosovën

Komisioni ka rekomanduar gjithashtu që të iniciohet një procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi i saj.

Miratimit të raportit i ka paraprirë debati në Komision, pas të cilit zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë thënë se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve.  

“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta. Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën”, ka shkruar zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti. “Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. 

Suksesi i sotëm hap rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit”. 

Ndërkaq deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka qenë i pranishëm në takim, ka thënë se ka pasur edhe mospajtime.

“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar ai në platformën “X”. 

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar arritje kalimin e raportit në Komision, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar ajo. 

Edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e ka cilësuar përparim të madh në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë në institucionet e BE-së.

“Punuam shumë për këtë bashkë me shumë miq. Falënderojmë të gjithë ata që e bënë të mundur këtë. Tani shpresojmë për konfirmimin në prill nga kjo asamble”, ka shkruar ajo.

Votimi i radhës në Asamblenë Parlamentare më 16 prill

Pas kalimit në Komision, opinioni i shkon për votim Asamblesë Parlamentare, e cila zhvillon sesionin e radhës nga 16 prilli. Nëse merr miratimin e dy të tretave, hapi final është vendimmarrja në Komitetin e Ministrave të vendeve anëtare, i cili takimin e radhës e zhvillon në maj të këtij viti. 

Para votimit në Komision, tre udhëheqësit institucionalë i kanë dërguar një letër raportueses Bakoyannis, në të cilën kanë shprehur zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në të cilin insistojnë ndërkombëtarët.  

Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023 aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. 

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave. 

Zyrtarë të Qeverisë në disa raste kanë thënë se tashmë janë siguruar votat e domosdoshme për anëtarësim, me gjithë fushatën lobuese të Serbisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati kërcënuar me largimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës, po qe se e pranon Kosovën si anëtaren më të re. 

Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Shpresat e Kosovës për pranim ishin shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës.
Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.