Arbëri

Asnjë rast i dyshuar në Kosovë, nuk dihet nëse mund të identifikohet në IKSHPK

lija e majmuneve

Lija e majmunëve, e cila tashmë është shfaqur në rreth 15 vende të ndryshme të botës, nuk dihet nëse mund të identifikohet edhe në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka treguar nëse ka kapacitete për identifikim të saj.

Në pothuajse shumicën e rasteve, kur variantet e COVID-19 ishin aktive, IKSHPK-ja nuk ka pasur resurse për identifikim të tyre.

Në një komunikatë të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është thënë se nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë deri tash në Kosovë.

“IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë sa i përket lisë së majmunëve. Po ashtu IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë në të gjitha institucionet shëndetësore në vend dhe do të përditësohet me të dhënat e reja. Ju njoftojmë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë”, thuhet nga MSH-ja.

Por një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Izet Sadiku.

Ai përmes telefonit ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë manual për parandalim dhe se nuk kanë pasur asnjë takim deri më tani me zyrtarë të IKSHPK-së për këtë çështje.

IKSHPK-ja e MSh-ja kanë ndarë edhe 9 pika që përmbajnë informacione për linë e majmunëve, ku thuhet se ky lloj infeksioni transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë ose kafshëve të infektuara dhe se simptomat janë ethet, skuqja dhe ënjtja e nyjave limfatike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se virusi nuk transmetohet lehtë, sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19.

Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë - lëkurë me lëkurë me dikë që ka skuqje aktive.

Deri tash më shumë se 80 raste janë konfirmuar në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.