Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar viktimat që u masakruan nga policia serbe 26 vjet më parë në Abri të Epërme të Drenasit si dhe të vrarët në Gollubovc të Malishevës.
Kurti ka theksuar se Masakra e Abrisë është një prej krimeve më mizore të Serbisë në Kosovë dhe që për të, ashtu si për atë në Gollubovc, askush nuk është dënuar.
“Më 26 shtator 1998, pjesëtarë të tri njësive të policisë së Serbisë dhe kontigjente të Ushtrisë Jugosllave, hynë në fshat. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal. Ata i qëlluan nga afërsia e pastaj ua gjymtuan kufomat. Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar. Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka përmendur tutje vrasjen e Mihane Gashani Deliut me të birin 2-vjeçar, Diturije Deliun – foshnja e gjetur e gjallë në krahun e nënës e që nuk mbijetoi më pas.
Një ditë pasi anëtarët e familjes Delia ishin fshehur në mal për t’iu shpëtuar sulmeve, tek ta kishte depërtuar këmbësoria serbe. Aty i kishin vrarë 14, gjashtw prej të cilëve ishin gra të moshës 25-62 vjeç. Fëmijë ishin pesw, midis të cilëve një foshnjë një vit e gjysmë, imazhi i kufomës i së cilës u shpërnda në mediat më të mëdha të botës. Reutersi raportoi se kjo foshnje me plagë në fytyrë dukej se ishte rrokullisur nga gjiri i nënës së saj, sapo ishte qëlluar me plumb në kokë. Ndër tre burrat e vrarë në mal, dy ishin mbi gjashtëdhjetë vjeç. Këmba e 62-vjeçares Hava Deliaj ishte prerë poshtë gjurit.
7 pjesëtarë të tjerë të familjes Delia gjetën vdekjen pranë shtëpisë së tyre. I zoti i shtëpisë, 94-vjeç, invalid, ishte djegur bashkë me shtëpinë. Dy të tjerë ishin ekzekutuar në prezencë të familjarëve të gjallë, e një u gjet pranë malit me fytin të prerë. Në javët e ardhshme kufomat e dekompozuara të dy vajzave u gjetën të masakruara në të njëjtën zonë të krimit. Gazeta raportoi atëkohë se si pesë femra dhe dy fëmijë të moshës 5 dhe 7 vjeç po qëndronin të shtrirë në një skëterrë të ngushtë në afërsi të një tende ku ishte strehuar familja Delia. Të gjitha viktimat ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e disa prej viktimave tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. Luljeta Deliaj, e moshës 28-vjeçare, ishte shtatzënë dhe barku i saj ishte i prerë plotësisht.
Ndërkaq, kryeministri ka përkujtuar edhe 13 burrat shqiptarë që u vranë në Gollubovc të Malishevës në po të njëjtën ditë nga forcat serbe.
“Më 26 shtator 1998, forcat e armatosura serbe hynë edhe në fshatin Gollubovc të Malishevës. Aty i vranë 13 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur. Pas torturave disa orëshe, ata i shtrinë përtokë, me duar pas koke. U ekzekutuan nga policia, një nga një, me nga dy plumba. Për këto krime askush nuk është dënuar”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se nuk mund të harrohen të rënët në rrugën e vështirë deri te çlirimi.
“Në përvjetorin e 26-të, përkujtojmë 23 martirët e masakrës në Abri të Epërme dhe 13 martirët e vrarë në Gollubovc. Përkujtojmë Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun e Afrim Hajdarajn, që ranë dëshmor atë ditë, duke mbrojtur popullatën civile”.