Bazuar në të dhënat që ASK-ja i ka prezantuar të premten në një konferencë shtypi, mosha mesatare e komunitetit ashkali ka rezultuar të jetë 26.5 vjet. Ylli Shala, menaxheri i regjistrimit të popullsisë në ASK, ka bërë të ditur se mesataren e dytë më të lartë të moshës më të re e ka komuniteti rom, i pasuar nga ai egjiptian dhe shqiptar
Komuniteti me moshën mesatare më të re në Kosovë është ai ashkali, kanë treguar të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK), të dala nga regjistrimi i fundit i popullsisë.
Bazuar në këto të dhëna, të prezantuara të premten në një konferencë shtypi të ASK-së, mosha mesatare e komunitetit ashkali ka rezultuar të jetë 26.5 vjet.
Ylli Shala, menaxheri i regjistrimit të popullsisë në ASK, ka bërë të ditur se mesataren e dytë më të lartë të moshës më të re e ka komuniteti rom, i pasuar nga ai egjiptian dhe shqiptar.
“Me moshë mesatare që konsiderohet si popullatë kryesisht e re, prin komuniteti ashkali me 26.5, pas tij vjen komuniteti rom me një moshë mesatare prej 27.7, pason me komunitetin egjiptian 29.5 që reflekton si një bazë rinore, pastaj vjen komuniteti shqiptar i cili përbën shumicën e popullatës dhe ka një moshë mesatare prej 34.6, duke treguar një përzierje mes të rinjve dhe të rriturve”, ka thënë Shala.
E mesataren me të lartë të popullsisë në moshë mesatare, sipas Shalës, e kanë komunitetet boshnjake, serbe dhe gorane.
“Ndërsa komunitetet e tjera si ajo boshnjake, serbe dhe gorane, të cilët kanë një moshë mesatare 39.4 dhe 43.3. Kjo tregon se këto grupe kanë një popullatë të stabilizuar dhe potencialisht një pjesë më të madhe të individëve të rritur dhe të moshuar, sepse e kalon moshën 40-vjeçare”, ka theksuar ai.
Krahas për moshën e përkatësive etnike, ASK-ja ka shpalosur të premten edhe të dhëna mbi raportin gjinor. Sipas tij, të dhënat kanë treguar se në 20 komuna të Kosovës ka më shumë burra sesa gra.
“Është Dragashi, Kamenica, Obiliqi, Shtimja, Shtërpca, Vushtrria, Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi, Mamusha, Hani i Elezit dhe vazhdon diku me rreth 20 komuna në të cilat dominojnë meshkujt në raport me femrat”, ka theksuar Shala.
Sipas ASK-së, struktura etnike në Kosovë ka mbetur kryesisht e pandryshuar krahasuar me vitin 2011. 91.76 për qind të popullsisë së Kosovës e përbëjnë shqiptarët, 2.31 për qind serbët dhe në përqindje më të ulët janë boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë e egjiptianët.
Sipas rezultateve, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, rreth 150 mijë banorë më pak sesa krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.