Arbëri

ASK-ja do të përfshijë edhe një vlerësim për numrin e banorëve në 4 komunat veriore

36 mijë serbë morën pjesë në procesin e sivjetmë të regjistrimit të popullsisë, tha ushtruesi i drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati. Krahasuar me regjistrimin paraprak, numri i serbëve në Kosovë është për 11 mijë më i madh. Procesi regjistrues edhe këtë herë, si para 13 vjetëve, u bojkotua në katër komunat e veriut, të banuara kryesisht me serbë

Numri i serbëve në Kosovë është rritur për 11 mijë banorë, referuar të dhënave nga regjistrimi i popullsisë sivjet dhe më 2011.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka bërë të ditur se në regjistrimin e popullsisë morën pjesë rreth 36 mijë serbë, kryesisht në jug të Ibrit, pasi në katër komunat veriore procesi u bojkotua në masë të madhe.

Kastrati tha se në të dhënat përfundimtare, që pritet të publikohen në dhjetor, do të përfshihet edhe një vlerësim për numrin e banorëve në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë.

“Tri herë kemi përzgjedhë regjistrues, trysni kanë pasur. E kanë pasur mundësinë komuniteti serb prap të shkojnë vetë të regjistrohen, ata nuk morën pjesë, një pjesë e tyre. Agjencia do ta bëjë një vlerësim sipas kritereve ndërkombëtare duke përfshirë edhe institucionet ndërkombëtare për vlerësime, në të dhënat finale që do të dalin në dhjetor do të jetë e përfshirë edhe ajo pjesë, me indikatorë të tjerë”, është shprehur Kastrati.

Në procesin regjistrues të para 13 vjetëve, si pjesëtarë të komunitetit serb u deklaruan 25 mijë veta, pa përfshirë pjesën veriore ku edhe atëbotë u bojkotua regjistrimi.

E kësaj radhe Lista Serbe bëri thirrje për bojkotim, për shkak të, siç tha, shtypjes së komunitetit serb nga institucionet e Kosovës.

Ky proces fillimisht u planifikua të zgjasë nga 5 prilli deri më 17 maj. Por, kur përfundoi afati i rregullt, Qeveria mori vendim që të shtyhet afati edhe për një javë. Kastrati tha se këtë mundësi e shfrytëzuan pak qytetarë.

“Janë regjistruar një numër shumë i vogël i qytetarëve të Kosovës. Edhe pse ishin dy mënyra, përmes thirrjes telefonike e më pas të dërgohen ekipe dhe të shkojnë ata në zyrat regjionale”, është shprehur ai.

Sipas të dhënave preliminare të regjistrimit, Kosova ka afro 1.6 milionë banorë.