Arbëri

Arteta tek Arsenali edhe për tri vjet

Mikel Arteta

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka nënshkruar kontratë të re trevjeçare me klubin londinez. 

Spanjollit i skadonte kontrata në fund të këtij edicioni, por ka vendosur të qëndrojë te “revolveristët” deri në verën e vitit 2027. 

Vazhdimi i kontratës së tij është bërë para derbit londinez, në udhëtim te Tottenhami. 

“Ndihem jashtëzakonisht krenar, shumë i lumtur dhe mezi pres të shoh se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, ka thënë Arteta fillimisht, shkruan “BBC” të enjten. 

“Ndihem shumë me fat që punoj çdo ditë me njerëz të mirë dhe në ambient të tillë. Jam shumë i inspiruar, ndihem i sfiduar dhe i përkrahur. Dua të bëj edhe më shumë se çfarë kemi bërë deri tani”, ka theksuar Arteta. 

Arteta në krye të Arsenalit u emërua trajner në dhjetor të vitit 2019, duke e zëvendësuar Unai Emeryn. 
Ai triumfoi me Arsenalin në finale të Kupës FA në fund të kampanjës 2019-2020, për trofeun e parë madhor si trajner. 

Në dy edicionet e fundit, Arsenali përfundoi në vendin e dytë, ndërsa Arteta për synim e ka ta fitojë Premier Leaguen. 

Arsenali është pa titull që prej edicionit 2003-2004.