Aleksandar Arsenijeviqit, kryetar i partisë Demokracia Serbe, i është ndaluar t’i afrohet Visar Sylës, shef të stafit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për një muaj.
Arsenijeviq u arrestua të mërkurën pasi fishkëlleu në drejtim të kryetarit Atiq dhe ekipit të tij në sheshin në Mitrovicë.
Për arrestimin e tij pati edhe protesta të enjten.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë që Gjykata Themelore Mitrovicë-Departamenti i Përgjithshëm Penal, me datë 10.10.2024 e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së ‘Ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar’. Aktvendimi për caktimin e masës se ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj të pandehurit A.A do të zgjasë 1 (një) muaj, nga data 09.10.2024 deri me datë 09.11.2024. Të pandehurit A.A i ndalohet që t’i afrohet të dëmtuarit V.S në afërsi prej katërdhjetë (40) metra. Kundër këtij aktvendimi është e lejuar e drejta në ankesë, në afat prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore për KOHËN.