Janë bërë katër vjet, prej kur e ka nisur mandatin Qeveria Kurti II. Si suksese, qeverisë i listohen kryesisht veprimet e ndërmarra në veri dhe investimi në ushtri. Ndërkaq, shumë objektiva të listuara në Programin qeverisës 2021-2025, nuk u arritën në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë, drejtësi e diplomaci
Të shtunën Qeveria Kurti II i ka mbushur 4 vjet të plota të mandatit që e nisi më 22 mars të 2021-s.
Nga Qeveria që u drejtua prej Lëvizjes Vetëvendosje, e cila siguroi mbështetjen e mbi 50 për qind të popullit, pati pritje të mëdha, por pas katër vjetësh arritjet janë vlerësuar të vogla.
Analisti Arbnor Sadiku thotë se resorët e Qeverisë që shënuan progres janë ai i sigurisë dhe i mbrojtjes.
“Një progres ose punë që është vërejtur është sektori i punëve të brendshme dhe ai i mbrojtjes, ku relativisht, le të themi ai i punëve të brendshme është munduar që ta shtrijë sovranitetin në veri, një formë ose një tjetër dhe ka pasur le të themi përpjekje që ajo situatë të mbahet në vazhdimësi si e tillë. Dhe, natyrisht së fundmi Ministria e Mbrojtjes ka arritur që disa marrëveshje, qoftë kjo e fundit që ishte me Kroacinë dhe Shqipërinë dhe disa marrëveshje tjera ndërkombëtare për fuqizimin e FSK-së, të quhen le të themi si suksese më të dukshme”, ka thënë ai.
Shumë objektiva të listuara në Programin qeverisës 2021-2025, nuk u arritën në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë, drejtësi e diplomaci.
Nuk u ofruan shujtat falas për filloristët, as banimi i përballueshëm për mësimdhënësit e as rikthimi i Kosovës në ENQA dhe EQAR.
Në fushën e shëndetësisë nuk u funksionalizuan sigurimet shëndetësore, as kujdesi paliativ e as sistemi i informimit shëndetësor.
Programi i Qeverisë ka përfshirë edhe furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji, por përveç reduktimeve të shumta gjatë këtij mandati u rrit çmimi i energjisë disa herë.
Është premtuar të avancohet edhe gjendja e Trepçës, por vetëm në gusht të vitit të kaluar Qeveria u detyrua të ndajë mbi 4 milionë euro për pagat e minatorëve të kësaj ndërmarrjeje që ndodhej në krizë.
Në dokument është shprehur edhe synimi për krijimin dhe integrimin e transportit hekurudhor. Katër vjet pas, funksionale është vetëm linja Prishtinë-Pejë.
Në program është listuar edhe përfundimi i projekteve ekzistuese infrastrukturore si autostrada e Gjilanit e rrugët magjistrale por as ato s’u kryen.
Analisti Sadiku përmend fushat ku Qeveria nuk ka shënuar progres.
“Nuk kemi pasur ndonjë projekt madhor, si ndonjë autostradë, apo le të themi, ndonjë projekt i cili është në rrafshin e hekurudhor, ku do të ishte si projekt i kryer në këtë mandat qeveritar. Andaj, mendoj që sektori ku më së shumit ka çaluar le të themi është sektori ekonomik, i infrastrukturës dhe ai ndërtimit, ku praktikisht kjo qeveri ka premtuar që për qiftet e reja do të ketë një farë-lloj, si më thonë banimi më të lehtë për ta”, u shpreh Sadiku.
Qeveria nuk arriti ta realizojë as zotimin për banim të përballueshëm për 4 mijë familjet.
E, në fushën e drejtësisë, nuk u finalizuan shumë nga reformat e zotuara. Nuk u bë as padia për gjenocid që u premtua kundër Serbisë e as platforma reparative për përllogaritjen e dëmeve njerëzore dhe materiale të shkaktuara gjatë luftës.
Në program Qeveria e listoi si prioritet kryesor forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por përgjatë mandatit Kosova nuk siguroi ndonjë njohje dhe as anëtarësim në organizata të mëdha ndërkombëtare, ndërkaq shkaku i veprimeve në veri, iu vendosën masa nga BE-ja.