Arbëri

Arrestohet një serb, dyshohet për krime lufte me grupet e MUP-it serb

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën një person në pikën kufitare të Jarinjës nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

I dyshuari D.R. dyshohet për krime lufte gjatë periudhës 7-10 maj 1999 në komunën e Gjakovës. Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP).

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më pas se i ndaluari është i nacionalitetit serb. 

"Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për këtë arrestim ka reaguar edhe Lista Serbe, që është ankuar se, sipas saj, personi 75-vjeçar ka qenë duke u kthyer në Kosovë për të zgjatur afatin e dokumenteve.

“D... është familjar në dekadën e tetë të jetës së tij, që sipas djalit të vet, kurrë s’ka qenë i përfshirë në ndonjë formacion gjatë konfliktit dhe është aktualisht seriozisht i sëmurë dhe me demencë, për çka familja e tij frikësohet për kushtet psikofizike”, thuhet në reagim të Listës Serbe.