Naser Hafizi, ushtrues detyre i udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, është arrestuar të enjten, sapo ka aterruar në Aeroportin e Prishtinës.
Ai është parë teksa ka dalë nga Aeroporti nën shoqëri të zyrtarëve. Edhe Prokuroria ka konfirmuar arrestimin e tij.
Prokuroria Speciale po e heton Hafizin nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash e mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj arrest shtëpiak ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi.
Hafizi gjendej jashtë shtetit.
Në Prokurori nuk kanë treguar se për çfarë rastesh keqpërdorimi janë dyshimet.
Gjatë bastisjes së Prokurorisë të martën, janë sekuestruar një varg provash në mesin e tyre edhe një revole e Bytyqit.
Prokuroria ka lëshuar urdhër të përkohshëm ndalimi edhe për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë.
Në deklarim të pasurisë, i arrestuari Bytyqi ka në pronësi 4 banesa, ndërkaq Hafizi ka në pronësi një banesë.