Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua sot me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, transmeton "Zëri i Amerikës".
Ndaj Metas SPAK-u ka kryer një hetim pasuror, dhe jozyrtarisht dyshohet për mosdeklarim pasurish, korrupsion dhe pastrim parash.
Ky hetim besohet se është shkaku i arrestit të sotëm, ndërsa ndaj tij ka edhe çështje të tjera hetimore si çështja CEZ-DIA.
Në mes të qershorit Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.
Ish-presidenti Meta ka deklaruar se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, çështje me të cilat është marrë, sipas tij, bashkëshortja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka po ashtu një hetim pasuror nga SPAK-u.
Edhe për Kryemadhin sot SPAK-u vendosi masën detyrim paraqitje.
Sekretari organizativ Artemis Peca, ishte personi i cili ndodhej së bashku me Ilir Metën në veturë në momentin kur ky i fundit u arrestua me urdhër të SPAK.
Peca, i cili ishte shoferi i mjetit ku ndodhej presidenti i Partisë së Lirisë, ka treguar se çfarë ndodhi në momentin kur makina e tyre u ndalua nga oficerët civilë të BKH.
“Pashë një postbllok, ula shpejtësinë. Më pas pashë një makinë që po na afrohej dhe pastaj na rrethuan tre makina. Dolën ca banditë me maska, me armë, na hapën dyert në mënyrë çnjerëzore dhe na thanë ‘hajdeni me ne’. U thamë ‘kush jeni, na tregoni mandatin’, në fillim u trembëm, thash po na rrëmbejnë. Pastaj pashë një makinë policie, dhe aty kuptuam që ishte policia e Dumanit dhe Ramës”, tregoi ai në një konferencë për mediat.
Reagon SPAK-u, tregon pse u arrestua Meta
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e njohur si SPAK, tha se ish-presidenti Ilir Meta po dyshohet për përfshirje në vepra korruptive.
Në komunikatën e lëshuar pas arrestimit të Metës, SPAK-u tha se veprat penale të tij lidhen që nga vite të mëhershme, kur Meta kishte pozicione të ndryshme politike.
Me të dyshohet edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, se kanë përdorur ndikimin e tyre duke ndikuar te drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare.
“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.)”, thuhet në një nga pikat e përmendura nga SPAK-u./Ksp
Policia: Ilir Meta u arrestua me forcë pasi refuzoi urdhrin dhe ofendoi
Policia e Shqipërisë njoftoi se ish-presidenti Ilir Meta refuzoi urdhrin për arrestim dhe lëshoi fjalë fyese ndaj zyrtarëve policorë.
Ai u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa autoritetet njoftuan se në momentin e ndalimit i është komunikuar vendimi për arrestim.
“Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës. Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”, thuhet në njoftimin policor.
Policia bëri të ditur se arrestimi i tij është bërë me forcë pasi “u imponua nga kundërshtimi me forcën e tij”.
“Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja”, thuhet tutje.